Dita e fundit e merkatos, ka qenë tepër intensive për Milanin, me kuqezinjtë që kanë bërë lëvizje të shumta, si në hyrje ashtu edhe në dalje.
Fillimisht u zyrtarizua Santiago Gimenez, i cili kishte zbarkuar në Itali prej dy ditësh. Sulmuesi firmosi kontratën deri në Qershor të vitit 2029, ndërsa zgjodhi të mbajë fanellën me numrin “7”. Gimenez i kushtoi arkave të kuqezinjve 35 milionë Euro dhe do të marrë vendin e Alvaro Moratës, i cili një ditë më parë kaloi të Galatasaray.
Një tjetër përforcim në repartin e avancuar për Milanin ishte edhe Joao Felix. Sulmuesi portugez ishte dëshirë e trajnerit Sergio Conceicao dhe marrëveshja me Chelsea u arrit për një huazim deri në fund të sezonit, me rrogën e lojtarit që do të paguhet nga italianët.
Sa i përket largimeve, Noah Okafor kaloi te Napoli. Bëhet fjalë për një huazim për 2 milionë euro, me të drejtë blerjeje në fund të sezonit, për 23 milionë Euro.
Me kuqezinjtë e mbylli edhe mesfushori Ismael Bennacer, i cili do të luajë në Francë për Marseille. Ishte vetë algjeriani që kërkoi me ngulm të transferohej te skuadra franceze. Ky operacion u mbyll në huazim, me të drejtë blerjeje në fund të sezonit për 10 milionë euro.
Vendin e Bennacer te Milani e ka marrë Warren Bondo. 21-vjeçari francez është blerë te Monza për shumën e 10 milionë eurove. Te këta të fundit do të kalojë në huazim Zeroli, lojtar i akademisë së Milanit. Më herët nga kuqezinjtë u largua edhe Davide Calabria, i cili firmosi me Bolonjën, ndërsa në vendin e tij u afrua Kyle Walker nga Manchester City.