23 shtator 2014 – Milani ka arritur të kthehet nga disavantazhi prej dy golash për të marrë një barazim (2-2) përballë Empolit në ndeshjen vlefshme për xhiron e katërt në Serie A.
Në takimin e zhvilluar në Stadio Carlo Castellani, ekipi vendas kaloi në epërsi në minutën e 13-të me golin e Lorenzo Tonellit.
Nuk kaluan shumë minuta dhe Manuel Pucciarelli i gëzoi përsëri tifozët vendas duke shënuar edhe golin e dytë (21’).
Para se skuadrat të shkonin në pushim, Fernando Torres e ngushtoi rezultatin pas harkimit të Ignazio Abates (43’).
Në gjysmën e dytë, Rossonerët e sollën takimin në nivel duke barazuar me anë të Keisuke Hondas (58’). Përsëri ishte i përfshirë Abate.
Në këtë takim për Empolin u angazhua mbrojtësi shqiptar, Elseid Hysaj (i cili zuri vendin e Vincent Laurinit, 69’).
Pas katër ndeshjes, Milani është i treti në tabelë, me dy pikë prapa liderëve, Roma dhe Juventus, që kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar.





