Dukej gjithçka e kryer, por në Itali kanë zbuluar se Fabio Paratiçi mund të mos jetë drejtori i ri sportiv i Milanit. Negociatat mes palëve kanë frenuar dhe tashmë në skenë rikthehen emrat e vjetër. Bëhet fjalë për Igli Taren dhe Toni D’Amiko. Tare ishte dëshira e Zlatan Ibrahimoviç, por në zgjedhjen e mëparshme të Milanit mbizotëroi dëshira e Xhorxho Furlanit.

Ky i fundit loboi për ish-drejtorin sportiv të Juventusit, Paratiçi, i cili është aktualisht i dënuar në Itali për plusvalencat. Kjo shikohet si arsyeja kryesore, që ka penguar negociatat. Paratiçi rrezikon dënime të tjera dhe në rast se ndodh, Milani do të dëshironte që të kishte zgjidhje të menjëhershe të kontratës. Koha po ashtu nuk premton, pasi merkato e verës po afron. Kështu Tare po konsiderohet një alternativë konkrete.