Zvonimir Boban dhe Paolo Maldini, pas zyrtarizmit të trajnerit Marko Xhampaolo dhe mesfushorit Rade Kruniç, po përgatisin goditjen e radhës. Emrat janë të shumtë dhe prekin të gjitha repartet, por një orvatje e mirëfilltë deri tani nuk është bërë për askënd.

Lëvizja që bën të shpresojë tifozët milanistë, është udhëtimit i dyshes drejtuese të “Djallit” drejt Madridit. Reali në javët e fundit shënon mbipopullim në organikë dhe duke dashur të përfitojnë nga ndonjë ofertë sezoni, Maldini dhe Boban thuhet të kenë siguruar një takim më homologët madrilenë.

Me 37 lojtarë në bordero, Florentino Perez duhet të largojë të paktën 12 “nëpunës” nga urdhrat e Zidanit, në mënyrë që francezi të punojë më i qetë, por edhe klubi të kursejë për ndonjë afrim tjetër pas Mendisë, Hazardit dhe Joviçit. Në këto rrethana, dëshira e Milanit lidhet me dy lojtarë, siç janë Isko dhe Dani Sebajos. I pari nuk ka garanci teknike, teksa i dyti, i grumbulluar me Spanjën U21, e ka thënë hapur se nuk dëshiron të punojë me Zidanin.

Sipas së përditshmes spanjolle “Marca”, Maldini dhe Boban janë shumë të interesuar për të dy mesfushorët, nga kartonët e cilëve Reali pretendon të përfitojë të paktën 50 milionë euro. Ata do të ishin idealë për skemat e Xhampaolos, falë mbulimit që u bëjnë roleve në mesfushë. Njëri regjisor (Sebajo) e tjetri fantazist (Isko), do të ishin dy përforcime ideale për të synuar Champions-in në sezonin e ardhshëm.

Me UEFA-n që monitoron kuqezinjtë, ndërkohë që përgatit shpalljen e dënimit ndaj tyre, Boban e Maldini e dinë se nuk mund ta teprojnë me investimet. Minusi sezonal i kuqezinjve aktualisht përflitet të jetë rreth 100 milionë eurove, por 50 milionët e pretenduara nga madrilenët, janë një pengesë që mund të kapërcehet.

Po sipas “Marca”, Milani do të mundohet të arrijë një marrëveshje paraprake, duke ulur disi pretendimet e Realit, por sidomos duket e “mbuluar” më një akord huazimi dyvjeçar, ndërkohë që pagesat e blerjes së tyre të bëhen me këste. Vështirësi maksimale për dyshen drejtuese të klubit italian, por administratori Ivan Gazidhis shpreson që “kryqëzata” e tyre madrilene të sjellë frytet e para.