Pas ndeshjes dhe gafës ndaj Empolit, Alesio Romanjoli foli për mediat duke pranuar menjëherë gabimin që i solli barazimin e vendësve.

“Jam i zhgënjyer dhe i nevrikosur me veten. Marr përsipër përgjegjësinë e penalltisë së shkaktuar sepse mendoj se pa gabimin tim sfida mund të kishte përfunduar në një tjetër mënyrë. U kërkoj falje tifozëve të Milanit dhe të gjithë skuadrës. Jam i bindur që do të dimë të ringrihemi”, deklaroi 25-vjeçari.

Analiza e kapitenit vazhdon pa mëshirë për gabimet e skuadrës dhe fatin e keq që po persekuton ekipin e Milanit që nga fillimi i kampionatit. Romanjoli fton kuqezinjtë që të kthejnë faqe e të mendojnë për ndeshjen e së dielës kundër Sasuolos:

“Mund ta kishim mbyllur më herët ndeshjen me aq raste sa patëm. Në Serinë A sapo gabon, e pëson. Pa gabimin tim, e theksoj, do të kishte qenë një mbrëmje ndryshe, por tani nuk na ngelet gjë tjetër, përveçse të përqendrohemi te sfida me Sasulon. Na mungon pak cinizëm si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Kishte shumë rëndësi që të mos pësonim gol dhe u ndëshkuam vetëm me penallti. Rruga është ende e gjatë, por mendoj se është e duhura”.