Milani i ka dhënë fund krizës në kampionat dhe ka gjetur fitoren pas 3 humbjesh radhazi. Një fitore për të cilën i është dashur të djersijë shumë, në transfertë ndaj Leçes ku triumfoi me shifrat 3-2.
Vendasit kaluan të parët në avantazh me Krstoviç në pjesën e parë dhe goditën shtyllën, ndërsa Milani pa t’i anuloheshin dy gola në fraksionin e parë të lojës. Himenez goditi shtyllën sapo nisi pjesa e dytë, para se Krstoviç të shënonte edhe golin e dytë personal për skuadrën e Leçes, ku Medon Berisha ishte titullar e Ylber Ramadani u aktivizua si zëvendësues.
Por 13 minuta të çmendura ndryshuan gjithçka, pasi Milani i cili dukej i pafuqishëm për të shënuar, shkurtoi diferencën me një devijim me shumë fat në portën e vet të Gllo. Më pas ishte Pulisiç ai i cili barazoi gjithçka me një penallti e në fund, përsëri amerikani përmbysi rezultatin me golin e 3-2.