Një gol alla-Ibra në minutën e 89 nga Olivier Zhiru, i ka dhënë Milanit tre pikë shumë të vuajtura përballë Specias, duke mos lejuar arratinë më tej të Napolit.

Kuqezinjtë dinin që çdo pikë e humbur do të ishte një telash për ta dhe nisën ndeshjen me furi, duke gjetur me meritë avantazhin e duke iu afruar disa herë golit të dytë. Por në fraksionin e dytë të lojës ishte Specia që u tregua më thumbuese, duke gjetur barazimin me Daniel Maldinin, djalin e legjendës kuqezi Paolo Maldini, i cili vetëm në verë u largua nga kampionët e Italisë për të gjetur më shumë hapësira.

Milani provoi të gjente edhe një herë avantazhin dhe ai erdhi vetëm në fund me një goditje spektakolare të francezit, i cili më pas u ndëshkua me të kuq, duke bërë drithërues momentet e fundit të sfidës në “San Siro’.

Gjithsesi, Milani i gëzohet tre pikëve dhe vendit të dytë, teksa Specia vazhdon të mbetet në zonën e ftohtë të klasifikimit.

MILAN-SPECIA 2-1
25′ Teo Hernandez, 89′ Zhiru / 59′ Maldini