Itali, 14 prill 2014 – Milani ka arritur të sigurojë tri pikët në ndeshjen e radhës ndaj Katanias. Skuadra e Klarenc Sedorf ka shënuar që në pjesën e parë me anë të Montolivos dhe ka arritur të sigurojë një fitore të rëndësishme. Në minutën e 23-të, Montolivo ka kaluar Milanin në avantazh me një goditje të bukur jashtë zonës. Me këtë fitore, skuadra kuqezi mbetet në kërkim të zonës evropiane. Ka qenë një ndeshje që në fillim të saj mendohej të ishte shumë e thjeshtë për Milanin, pasi do të kishte përballë skuadrën e vendit të fundit. Milani vinte në këtë takim pas dy fitoresh dhe ky takim do të shërbente që skuadra të ruante ecurinë pozitive të rezultateve si dhe të afrohej sa më shumë me zonën evropiane. Ndeshja është dominuar nga skuadra vendase, e cila ka pasur disa raste të pastra për shënim. Milani e ka tentuar që në fillim golin e avantazhit, por nuk ka qenë shumë e thjeshtë, pasi Katania është mbrojtur me forca të shumta në prapavijë. Duhet të vinte minuta e 23-të, për të parë rezultatin të zhbllokuar. Është Montolivo që ka lëshuar një të djathtë potente nga distanca, duke kaluar Milanin në avantazh. Një top i goditur fluturimthi nga jashtë zonës, e ka mposhtur portierin e miqve dhe i ka dhënë avantazhin vendasve. Deri në fund të pjesës së parë, nuk kanë munguar rastet e kuqezinjve, por rezultati ka mbetur i pandryshuar. Në të dytën, Milani vijon të kërkojë golin e sigurisë, por në disa raste Katania kërkon të surprizojë me kundërsulme të rrezikshme. Baloteli provon në disa goditje standarde të gjejë golin, por nuk ja del. Në të 78-ën, Rinaudo ka lënë Katanian me dhjetë vetë në fushën e lojës duke bërë gjithçka edhe më të vështirë për skuadrën e tij. Milani është mjaftuar me golin e vetëm të shënuar, duke siguruar fitoren e katërt radhazi dhe duke ruajtur ecurinë pozitive për të tentuar Evropën.

 

Montolivo: Goli, shumë i rëndësishëm për mua

Rikardo Montolivo ka shënuar golin e fitores për Milanin përballë Katanias. Me këtë trepikësh, kuqezinjtë afrohen edhe më shumë me Europën. Mesfushori nuk ka fshehur lumturinë për goditjen e tij të minutës së 23-të. “Jam shumë i lumtur sepse kisha kohë që nuk shënoja, ndërsa tani vjen dhe është vendimtar, prandaj jam i gëzuar. Vërtet ishte e rëndësishme që të shënoja këtë gol. Ne kemi gabuar shumë herë këtë sezon, por tani nuk ka më vend për të tilla gjëra nëse duam që të prekim Evropën”, tha mesfushori kuqezi, i cili ia dedikoi golin shokëve të skuadrës për sakrificën që po japin për të nxjerrë Milanin nga kriza.

 

Galiani: El Sharaui kthehet për derbin

Administratori i Milanit, Adriano Galiani ka thënë se El Sharaui mund të kthehet për derbin kundër Interit. “Nëse gjithçka shkon si duhet, besoj se do jetë i gatshëm për derbin”, tha Galiani. Ai ka vlerësuar skuadrën për ndeshjen ndaj Katanias, ndërsa ka thënë se shumë e rëndësishme është edhe përballja me Livornon të shtunën.

 

Sedorf: Nuk ishim në ditën më të mirë
Trajneri i Milanit, Klarens Sedorf ka thënë se skuadra e tij nuk ishte në ditën më të mirë, pavarësisht se fituan tre pikë të reja. “Loja nuk ishte shumë e mirë, por ndodh. Djemtë ishin të vendosur, prandaj luajtëm si një skuadër. Kanë mbetur edhe pesë ndeshje deri në fund dhe kur të mbyllet kampionati do të shohim rezultatet, tani nuk jemi duke shikuar shumë tabelën”, u shpreh holandezi. Ai ka ritheksuar faktin se nuk ka shumë zgjedhje, për shkak të dëmtimeve. “Ne vazhdojmë të jemi të përgjysmuar, kemi shumë dëmtime, por shpirti i skuadrës bën që ne të arrijmë rezultate të mira”, deklaroi tekniku Sedorf.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/