Milano do të dërgojë kandidaturën për të pritur një tjetër finale të Champions League, dhjetë vjet pasi në “San Siro” u zhvillua derbi i Madridit ndërmjet Real dhe Atletico-s, ku “Los Blancos” fituan me penallti.

Kryebashkiaku Sala kishte shpallur interesimin e qytetit lombard dhe tani e ka zyrtarizuar për finalen e vitit 2026 ose 2027.

Në vitin 2016 investimi i Bashkisë Milano, siç thuhet në rezolutën e miratuar nga këshilli, ka qenë afërsisht 800 mijë euro, pa llogaritur investimet për rindërtimin e stadiumit dhe rindërtimin e hapësirave përballë stadiumit.

Calcio & Finanza vlerëson ndikimin e mundshëm të një finaleje në 2026 ose 2027: rreth 15 milionë euro do të grumbullohen, përveç të ardhurave direkte për Bashkinë që rrjedhin, nga taksat turistike dhe përdorimi i transportit publik nga tifozët e pranishëm në qytet ditën e finales dhe në ditët para saj.

Milano do të duhet të dërgojë aplikimin në një dosje të veçantë dhe të kalojë dy pika kontrolli.

Deri të enjten duhet dorëzuar dosja e Ofertes Paraprake. Nëse dokumentacioni është i pamjaftueshëm, aplikimi mund të refuzohet në këtë fazë.

Ndërkohë deri më 21 shkurt 2024 duhet të dorëzohet Dosja e Ofertës Përfundimtare, e cila do të përmbajë më shumë detaje nga ato të treguara në Dosjen e Ofertës Paraprake, si dhe çdo informacion dhe sqarim të mëtejshëm të kërkuar nga UEFA.

Caktimi i finales për vendin dhe qytetin kandidat do të bëhet më 6 maj 2024. Lajmi vjen në një moment krucial për dy klubet e qytetit, pasi Milan dhe Inter kanë njoftuar planet për të lënë stadiumin dhe për të ndërtuar një të ri jashtë qytetit.