Sarandë, 3 qershor 2014 – Gazeta “Panorama” shkruan sot se supermiliarderët e botës pushtojnë Gjirin e Sarandës. Pasditen e djeshme mbërritën në portin e qytetit 4 jahte luksoze dhe një kroçierë, që solli nga Korfuzi 70 personalitete të famshme, në botën e biznesit, modës e sportit. Presidenti i klubit sportiv të Monakos, Dmitri Rybolovlev, drejtues të revistave të famshme, si “Vanity Fair” dhe një këngëtare e famshme mësohet se kanë qenë vetëm disa prej vizitorëve VIP të bregdetit jonian.

Ata u nisën nga Korfuzi për të parë Shqipërinë, bashkë me djalin e themeluesit të fondacionit “Butrinti”, Lord Rothschild. Njëri pas tjetrit, jahtet janë ankoruar në Portin e Sarandës, ndërsa personazhet e famshme janë mbledhur për të festuar ditëlindjen e vajzës së Rybylovlevit në kroçierën në mes të detit. Ekaterina Rybylovev feston 25-vjetorin e lindjes së saj, duke zgjedhur pikërisht Sarandën për këtë përvjetor.

Ajo është e famshme, po aq sa babai i saj si një ndër femrat milionere të këtij shekulli, duke qenë pronare së fundi dhe e dy ishujve grekë, një prej tyre pronë e biznesmenit të njohur grek, Aristotel Onasis.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/