13shtator 2015 – Miliarderi norvegjez, pronar i zinxhirit të hoteleve skandinave “Nordic Choice Hotels”, ka premtuar 5 mijë dhoma pa pagesë në hotelet e tij për refugjatët me qëndrim të përkohshëm. Mbase për të dëshmuar vërtetësinë e ofertës së tij ai i ka pritur në një hotel të tij jashtë Oslos 50 refugjatë sirianë këtë të dielë, raporton “Aftenposten”, një gazetë norvegjeze.
“Bota po përjeton krizën më të madhe humanitare në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, Stordalen i ka thënë “Forbes”, duke shpjeguar vendimin e tij, citon Express. “Është e pamundur të mos prekesh nga tragjedia njerëzore dhe me atë çfarë po ndodhë në Lindjen e Mesme.” “Ata nuk mund të flenë në rrugë,” ka theksuar ai.
Stordalen ka shtuar se hotelet e tij janë koordinuar me policinë për çështje sigurie dhe me zyrtarët e emigracionit për t’u siguruar nëse refugjatët janë ushqyer si duhet.
Drejtoria Norvegjeze e Imigracionit i ka thënë agjensisë “France Presse” se e vlerëson ofertën e miliarderit norvegjez, por me rëndësi është gjetja e një strehimi të përhershëm. Aktualisht, mijëra refugjatë, kryesisht nga Siria, kanë prekur brigjet e Europës.
/portali DurresLajm/