HONG KONG – Playboy miliarder nga Hong Kongu, që, rreth 3 muaj më parë, ofroi rreth 40 milion paund për burrin që do t’i mbushte mendjen vajzës së tij lesbike të martohej me të, ka ofruar tashmë pamje të vilës dhe stilit luksoz të jetesës për fatlumin që do të ketë shansin të plotësojë dëshirën e tij.

Biznesmeni 76 vjeçar, Cecil Chao, ka ftuar në vilën e tij luksoze, në bregdetin perëndimor të Hong Kongut,  një gazetar të Financial Times, që ka dokumentuar stilin modern dhe shumë luksoz të jetesës së pasanikut si dhe luksin e “shtëpisë së ëndrrave” për shumë meshkuj kudo në botë.  

Në fotot e shkrepura nga gazetari i Financial Times shfaqen pamje nga shtëpia e miliarderit Chao, e cila ka një sipërfaqe prej 16.000 metra katrorë, e ndarë në katër kate. Taraca e apartamentit luksoz ofron një pamje mahnitëse nga bregdeti, ndërkohë që shtëpia brenda është e arreduar sipas stilit europian, me shandanë gjigandë, piktura të shtrenjta, piano dhe skuptura të modernistit Angel Botello.

Megjithëse vajza e tij, Gigi u martua në Francë vitin e kaluar me shoqen e saj Sean Yeung, miliarderi plak nuk heq dorë nga ideja e tij. Ndërsa deklaron se gjatë jetës së tij ka shkuar me rreth 10 mijë femra, në këtë moshë ai preferon të mos martohet, megjithëse ka oferta të shumta, pasi dyshon se femrat do t’i afroheshin për të përfituar nga pasuria e tij.   

Vajza e tij, Gigi, është drejtoreshë në kompaninë e të atit Cheuk Nang, si dhe drejton një agjenci mode. Ajo ka drejtuar për një kohë të gjatë bizneset e të atit, por tani mendohet se pasaniku do t’ia kalojë drejtimin e kompanive, njërit prej djemve të tij, meqë vajza nuk i plotësoi dëshirën të martohej me një burrë.  

Chao i tha gazetarit të Financial Times: “Unë nuk do ta detyroj bijën time të martohet me një burrë, por nga pikpamje ime unë do të preferoja që ajo të martohej dhe të kishte fëmijë. Gigi është ende e re. Ajo ka ende për të jetuar 70% të jetës së saj”.

Vajza e tij, Gigi, u martua me partneren e saj prej një kohë të gjatë, Sean, në një ceremoni të mbajtur në një kishë në Paris vitin e kaluar.