Miliarderja e fuqishme që po kërkon të blejë klubin e Njukasëllit, është mikeshë e ish-presidentit amerikan Barak Obama dhe vitin e shkuar i ka dhuruar atij një byzylyk me një vlerë prej 30 mijë dollarësh. Kanadezja Evangelin Shen, e cila drejton grupin “Bellagraph Nova” së bashku me kushërinjtë e saj nga Singapori, Terens dhe Nelson Loh, po kërkon të bëhet pronarja e klubit të Premier Ligës.
Ata i kanë ofruar Majk Eshlit një çek prej 280 milionë paundësh në tavolinën e tij dhe po presin përgjigjen e bosit anglez. Ndërsa ultrasit e “Qymyrxhinjve” mbeten pesimistë për këtë operacion, grupi i investimit ka nisur të bëjë që tani planet e rindërtimit të klubit për ta rikthyer atë në majat e futbollit anglez. Ata pretendojnë se Alan Shirer ka pranuar ofertën e tyre për t’u ulur në stolin e klubit, ndërsa do të përpiqen që të transferojnë edhe Kristiano Ronaldon nga Juventusi.
Sipas “The Sun”, investitorët janë të vetmit që kanë bërë një ofertë konkrete në tavolinën e Eshlit dhe shpresojnë që ai ta pranojë atë, pavarësisht se kërkon një shifër afër 340 milionë paundëve. “Ai është i dëshpëruar për të shitur, ndërsa ne nuk jemi për të blerë. Kjo është diferenca dhe na bën optimistë. Ne nuk mendojmë se Eshli meriton më shumë sesa oferta jonë”, deklaroi një burim i brendshëm i investitorëve aziatikë për “The Sun”.
Avokatët e Eshlit janë duke negociuar me kompaninë që bazën e ka në kryeqytetin francez, Paris, dhe pretendojnë se ata kanë shumë fonde për të investuar. Shen dhe vëllezërit Loh krenohen me një pasuri prej 10 miliardë dollarësh dhe kanë premtuar se do të bëjnë investime të mëdha në klub. Ata njihen shumë pak në Britani, por Shen është shumë e njohur në qarqet ndërkombëtare dhe është një mikeshë e Obamës, me të cilin u takua dhjetorin e shkuar.
Në Singapor, ajo mbajti një ankand bamirësie në emër të Fondacionit Liderët e Rinj Obama. Ata janë miq shumë të mirë dhe ajo i ka dhuruar ish-presidentit të SHBA-së edhe një byzylyk me një vlerë prej 30 mijë dollarësh për t’ia dhënë gruas së tij Mishel.
Gjatë atij takimi Obama tha me humor se ai ishte me shumë fat që gruaja e tij nuk mori pjesë, sepse pensioni i tij presidencial nuk do mjaftonte për t’i paguar ato bizhuteri luksi.





