Polonia humb një pjesë të rëndësishme të sulmit në prag të Euro 2020. Arkadiusz Milik nuk do të luajë në finalet e turneut të rëndësishëm, që nis më 11 qershor, për shkak të një dëmtimi në gju. Edhe pse u shpresua deri në fund që 27-vjeçari të riaftësohej në kohë, stafi i përfaqësueses polake është dorëzuar, duke e përjashtuar lojtarin nga lista. 

Në fakt, sulmuesi i Olimpique Marseille mbërriti i dëmtuar në grumbullim, por edhe pse problemi nuk ishte shumë serioz, riaftësimi nuk mundi të ndodhte në kohën e duhur, që ai të jepte kontributin e tij në Europian. Për rreth dy javë, Milik iu nënshtrua trajtimeve të shumta, sipas një plani të përcaktuar në mënyrë rigoroze, por shqetësimet që ndjeu së fundmi tregojnë se nuk mund të jetë në gjendje të stërvitet në kapacitet të plotë apo të luajë ndeshje zyrtare. 

Pas konsultave mes trajnerit Paulo Sousa, mjekut të ekipit, Dr. Jacek Jaroszewski, dhe vetë lojtarit, u vendos që Milik të largohej nga kampi stërvitor. Siç e pranoi edhe vetë sulmuesi, pavarësisht rehabilitimit të tij, ai nuk u ndje 100% i gatshëm për Europianin.Trajneri Paulo Sousa vendosi që të mos grumbullojë një sulmues tjetër për të zëvendësuar të dëmtuarin Arkadiusz Milik.