SPAK ka dhënë sot detaje në lidhje me mega-operacionin e zhvilluar disa ditë më parë, ku janë shkatërruar 7 grupe kriminale.
Struktura e Posaçme lajmëroi ndër të tjera se ka sekuestruar 3 milionë euro cash dhe në total 4.5 milionë euro pasuri.
Siç shikohet në foto, SPAK ka sekuestruar miliona euro, makina të shtrenjta dhe bizhu në shtëpitë e bosëve të krimit.
“Gjatë ekzekutimit të vendimeve të GJKKO janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 2.996.760 Euro cash; sasi të konsiderueshme floriri dhe bizhuteri të shtrenjta; ora të markave të shtrenjta me një vlerë të përafërt prej 500.000 Euro; armë zjarri; targa të përshtatura automjetesh; automjete luksoze (nga të cilat 5 të blinduara me vlerë mbi 500,000 Euro); sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, etj.
7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen u goditën gjatë këtij megaoperacioni, ndërsa u lëshuan 43 urdhër arreste”,– thuhet ndër të tjera në njoftim.