Shkatërrohet në Itali banda e trafikantëve shqiptarë dhe italianë. Mediet italiane raportojne se aksion i policisë italiane të Komos, Milanos dhe Monza Brianzas ka goditur mëngjesin e kësaj të mërkure organizatën e cila merrej me trafikimin e armëve dhe lëndëve narkotike si marijuanë dhe kokainë e cila vinte nga Shqipëria.

Gjatë hetimeve të koduara ‘Sperem’ të nisura që në vitin 2016, policia ka sekuestruar rreth 800 kg marijuanë, 3 kg kokainë, një pistoletë në formë pene, 7 fishekë, një pistoletë modeli Tokarev TT 30, dy karikatorë, 15 fishekë të kalibrit 7.62 .

Ajo çka ndihmoi edhe në hetime ishte zbulimi i dy kutive në të cilat u gjetën 3 kg kokainë dhe 14 kg marijuanë, 1 pistoletë dhe 7 fishekë. Nëse do të dilte në treg, vlera e marijuanës do të arrinte 2 milionë e 500 mijë euro.  Trafikantët përdornin një gjilpërë për hapjen mekanike të depos siç shihet edhe në video, ndërsa marijuana ishte vendosur brenda një frigoriferi akulloresh.

Nga korriku i 2016-s dhe deri në korrik 2017, policia ka arrestuar 7 persona, mes tyre 5 shqiptarë. Gjatë operacionit të 2016-s në pranga ranë 36-vjeçari shqiptar B.B., 32-vjeçari V.M,; 34-vjeçari R.B.; 42-vjeçari X.B. dhe 30-vjeçari E.R .

Droga e cila vinte nga Shqipëria shpërndahej në Lazio, Marche, Toscana, Veneto, Lombardia, Piemonte, Abruzzi dhe Emilia Romanga.