Beshiktashi mbajti një konferencë me presidentin Serdal Adali dhe afrimet e merkatos së dimrit. Një prej tyre është Kristjan Asllani, që u huazua nga Interi pas eksperiencës me Torinon.

Presidenti i Beshiktashit foli me superlativa për mesfushorin e Kombëtares shqiptare. Në rast se klubi turk vendos të blejë kartonin, atëherë Interi do të përfitonte një shumë që shkon deri në 13 milionë euro.

“Ne nënshkruam me Kristjan Asllanin në formë huazimi gjashtë mujor, por besoj se ai do të luajë mirë këtu dhe do të qëndrojë me ne.

Që nga dita që erdhi, ai ka treguar përshtatje të shkëlqyer me frymën dhe emocionet e Beshiktashit. Ne e quajmë Asllani, por sipas mendimit tim, ai është një shqiponjë e vërtetë”, u shpreh presidenti i Beshiktashit.

Asllani ndërkohë tregoi se para këtij transferimi kishte folur me Rashicën dhe Muçin. Të dy kishin ndikuar për mirë në afrimin e tij te Beshiktashi.

“Nuk fola me Hakan Çalhanoglu para transferimit. Fola me Ernest Muçin dhe Milot Rashicën, dhe ata thanë gjëra shumë të mira për Beshiktashin”,  u shpreh Asllani që kërkoi ndjesë për kartonin e kuq në debutim.