Gentian Sadiku, përmes një dyqani me nipt L42314005A, ka përfituar gjatë dhjetë viteve të fundit 120 tendera publikë me vlerë miliona euro, me perspektivë për të hyrë edhe në tendera me vlerë të madhe.

Gjatë pesë viteve të fundit, në llogarinë e Gentian Sadikut kanë kaluar rreth 2.5 milionë euro, në zbatim të kontratave publike për furnizimin e institucioneve publike me uniforma, veshje pune, këpucë, atlete etj.

Në fund të vitit të kaluar, Kontrolli i Lartë i Shtetit përfundoi një raport auditimi të veprimtarisë së Akademisë së Sigurisë, duke rekomanduar në fund shkarkimin nga detyra të drejtuesit Ilirjan Mandro për vjedhje me fondet deri në nivel banal.

Konstatimet e KLSH tregojnë për një skemë të dyshuar korruptive mes biznesmenit Gentian Sadiku dhe kreut të Akademisë së Sigurisë Ilirjan Mandro me tenderat e veshmbathjeve.

Sipas KLSH-së, Gentian Sadiku furnizonte me veshmbathje Mandron në letra sikur e kishin origjinën nga Evropa, por në fakt i blinte në vendet aziatike, me cilësi shumë të dobët.

Ilirjan Mandro është emëruar në krye të Akademisë së Sigurisë në maj 2022. Që nga emërimi i Mandros në krye të Akademisë, Gentian Sadiku është kthyer në funitor sistematik i Mandros për veshmbathje për studentët e Akademisë së Sigurisë (Policisë).

Evidencat tregojnë se Gentian Sadiku është një nga linjat kryesore të vjedhjes me tendera të Ilirjan Mandros, për të cilin nuk po zbatohet kërkesa e KLSH-së për t’a shkarkuar nga detyra.

Ndoshta Ervin Hoxha dhe Ilir Proda po presin që një ditë skuadra e BKH-së të shfaqet me pranga në duar në zyrën e Mandros, ndonëse ky i fundit mendon se ka imunitet për shkak të gruas Arta Mandro, anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë./ Prapaskena