60 milionë amerikanë në më shumë se 30 shtete janë nën “pushtimin” e një stuhie të madhe që mund të sjellë reshjet më të mëdha të borës dhe temperaturat më të ftohta në më shumë se një dekadë.

Një vorbull polare ka sjellë mot të ftohtë nga Arktiku në SHBA qendrore, me kushte ekstreme të motit.

Mijëra fluturime janë vonuar ose anuluar, shumë rrugë janë bllokuar dhe shkollat janë mbyllur si pasojë e stuhisë.

Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në shumë shtete si Kentaki, Virxhinia Perëndimore, Arkansasi dhe pjesë të Nju Xhersit.

Ndër zonat e goditura më keq të dielën ishin Kansas dhe Misuri, me stuhi dëbore e cila ka arritur deri në 30 cm në disa vende.

Stuhia pritet të përfshijë edhe kryeqytetin Uashington dhe rrethinat e tij.

Meteorologët parashikojnë se moti pritet të fillojë të qetësohet në ditët në vijim.