Kukësi ka blerë kartonin e kapitenit të Teutës, Arbër Çyrbja. Ky i fundit ka qenë protagonist absolut sezonin që shkoi dhe u shtoi oreksin shumë skuadrave të Superiores. 24- vjeçari, që luan në rolin e mesfushorit të avancuar, pritet të jetë një përforcim cilësor për Kukësin, pasi ky klub ka edhe pritshmëri e larta për ndeshjet europiane.

Çyrbja është aktivizuar plot 34 ndeshje sezonin e kaluar, ku ka shënuar edhe 7 gola, duke marrë ekipin për dore drejt rrugës së mbijetesës. Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, sqaroi edhe formulën e shitjes së kartonit te verilindorët.

"Menaxheri i Çyrbes, Shkumbin Qorrmemeti dhe Harris Fakiç sugjeruan që ai të transferohet te Kukësi për të luajtur në Champions, pasi është një mundësi mjaft e mirë për atë që të tregojë veten dhe të shitet në një klub në Europë. Dëshira e tij ishte të luajë në një klub jashtë vendit dhe ndaj ne e realizuam këtë operacion. Kukësi do të paguajë 50 mijë euro tani dhe 50 mijë të tjera kur të shitet pas ndeshjeve të Europës. Pra, në total Teuta përfiton 100 mijë euro nga ky transferim", tha Hasanbelliu.