• E gjithë pasuria e një astrofizikanteje italiane i është lënë si trashëgimi një emigranteje shqiptare. Milionerja Margarita Hack, u ndaj nga jeta më 13 qershor të vitit 2013, ndërkohë që vetëm pas vdekjes së bashkëshortit të saj në shtatorin e vitit të kaluar shtëpia e çiftit dhe gjithë pasuria me një vlerë prej 500 mijë eurosh janë destinuar për kujdestaren shqiptare Tatjana Gjergo.

2 shkurt 2015 –  Ndërkohë që pas leximit të testamentit të të moshuarit kanë nisur edhe aludimet e shumta në mediat italiane por edhe në zonën ku jetonin dy bashkëshortët për vërtetësinë e tij. Kjo për shkak se vetë astro-fizikinatja Hack kishte lënë dy testamente. Në të parin ajo ja linte gjithë pasurinë bashkëshortit të saj dhe një pjesë për shoqatat e kafshëve ndërsa në testamentin e dytë i linte një shumë prej rreth 100 mijë eurosh kujdestares shqiptare. Por në shtatorin e kaluar pas vdekjes edhe të bashkëshortit të saj Aldo De Rosa, u lexua testamenti ku thuhej se gjithë trashëgimia dhe shtëpia ku jetuan i kalojnë Gjergos. Vendimin e ndryshimit të trashëgimisë e bëri burri i Hack, i cili kishte firmosur një testament, në të cilin shkruhej e zeza mbi të bardhë se gjithë pasuria i kalonte në emër të shqiptares Tatjana Gjergo. 

“Dëshiroj që pas vdekjes time të gjithë të mirat materiale që zotëroj të kalojnë në emër të zonjës Tatjana Gjergo, e cila bëhet trashëgimtare e ligjshme e pasurisë”.

Margarita Hack, 91 vjeçe, kishte specifikuar në testamentin e saj se pas vdekjes së saj dhe burrit, depozitat bankare që arrinin e në vlerën 500 mijë eurove si dhe shtëpia me vlerë mbi 100 mijë euro do të shkonin për pjesëtarët e familjes dhe shoqatat e mbrojtjes së kafshëve, por duket se burri i saj e ka ndryshuar, ndoshta sepse amaneti i gruas nuk ishte plotësuar si duhej. Mendohet se De Rosa e kishte shkruar testamentin 2 javë pas vdekjes së gruas së tij duke ja lënë të gjitha shqiptares që u kujdes për të dhe astro-fizikanten deri në momentet e fundit të jetës. Mediat italiane shkruajnë edhe për jetën e Tatjana Gjergos, e cila kishte shkuar në Itali në vitin 1991 me vajzën e vogël Eda që ishte vetëm një vjeç. “Në anijen që po kalonte mbi Adriatik, ishte një nënë e re, e cila sapo kishte humbur burrin që kishte vdekur papritur nga një infarkt. Tatjana kishte marrë me vete librat e saj të kimisë dhe matematikës, një dashuri e pafundme për shkencën dhe në krah një vajzë 1-vjeçare që nuk qante kurrë. Ajo vajzë më vonë u “adoptua” nga Margherita Hack dhe falë saj njohu dhe u dashurua pas astro-fizikës, duke u bërë edhe ajo një shkencëtare e yjeve. Nëna që prej atëherë deri në vdekjen e Aldo De Rosa, ndenji në Trieste në shtëpinë në “Rrugën Pratello”. Edhe ajo në një farë mënyre u adoptua nga Marge dhe Aldo: Dy gjyshër, një vajzë dhe një mbesë. Jo të lidhur nga gjenet por nga dashuria. Sot Tatjana mendohet se ka shkuar në Amerikë, atje ku rri vajza e saj Eda, e cila është tashmë një astro-fizikante”, shkruajnë mediat italiane.

.