TIRANË- Partia Demokracia Sociale mblodhi sot Komitetin e saj Drejtues, në të cilin u diskutua mbi përgatitjet që po bën kjo forcë politike për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Në fjalën e tij kryetari i PDS-së, Paskal Milo, tha se "organizimi, programi, strategjia dhe taktika" janë katër kolonat mbi të cilat do të mbështetet kjo parti në zgjedhjet e 23 qershorit të 2013. Milo siguroi se PDS do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur çdo votë të saj. 

"Për 23 qershorin na duhet organizim, program, strategji e taktikë e përsosur për të shkuar të suksesshëm në këto zgjedhje. Organizimin e kemi nisur që në shtator. Ndodhemi në procesin e diskutimit dhe finalizimin e kandidaturave për hartimin e listave, një proces që duhet të përfundojë brenda janarit 2013. Kemi shumë për të bërë në fushën e organizimit, vetëm strukturat reale në çdo qendër votimi do të mund të mbrojnë votat. Ne duhet të fokusohemi tek rinia, gratë dhe tek ajo shtresë gri ku potencialet politike janë të pashfrytëzuara",- theksoi kryetari i PDS-së. 

Duke u ndalur tek programi i kësaj partie, Milo tha se ai është një program social, që nga njëra anë do të vërë në dukje keqqeverisjen e mazhorancës aktuale, ndërsa nga ana tjetër do të paraqesë alternativën se si mund të ecet përpara.