TIRANE– Dy krimet e shekullit. Kështu i ka cilësuar kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ngjarjen e 21 janarit dhe tragjedinë e Gërdecit, ndërsa është shprehur kundër vendimeve të gjykatave, që sipas tij treguan më së miri se gjyqësori është zaptuar nga Kryeministri i vendit.
“Gjykatat janë institucione të qeverisë, shteti po fsheh krimet” theksoi ai.
Nga qyteti i Korcës, aty ku dhe prej ditësh po zien debati lidhur me gërmimet e shtetit helen për eshtrat e ushtarëve, Milo ka bërë thirrje që ky akt të mos vishet me ngjyra politike, duke shtuar se marrëveshja për eshtrat greke është një akt humanitar dhe një e drejtë e shtetit grek.
Numri një i PDS-së ka folur edhe për koalicionet parazgjedhore, duke shprehur gadishmërinë e opozitës për të bashkëpunuar me cdo parti, në funksion të një rrotacioni politik pas 23 qershorit.
Sa i përket prespektivës europiane të vendit dhe bllokimit të tre ligjeve në Kuvend, Paskal Milo ka deklaruar se integrimi nuk varet nga tre ligjet, por nga përmbushja e standardeve të shtetit të së drejtës dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira. Milo ka komentuar edhe deklaratat nacionaliste të Kryeministrit Berisha, duke i vlerësuar mirëfilli elektorale.