TIRANE, 14 prill 2013- “Sfida e opozitës është të çlirojë Shqipërinë nga Berisha”. Kështu ka deklaruar kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo në konferencën e forumit rinor të partisë që ai drejton. Sipas Milos, partia në pushtet e ka shndërruar korrupsionin në institucion.
“Kemi një mision historik për të realizuar, të shkulim me rrënjë njëherë e mirë regjimin neo-komunist në pushtet dhe dishepullin më të zellshëm dhe më besnik të metodave e të politikave makiaveliste që ka njohur historia postkomuniste në Shqipëri. Atdheu ynë i dashur duhet të çlirohet nga Sali Berisha.”- u shpreh Milo.
Kreu i PDS-së theksoi se ndonëse shqiptarët e kanë kuptuar se rotacioni politik është domosdoshmëri, misioni i opozitës nuk ka për të qenë i lehtë, pasi partia në pushtet përdor të gjitha metodat për të mos e lëshuar atë.
“Opozita duhet të organizojë mbrojtjen e votës së lirë. Kërkesa për të ndryshuar anëtarë të veçantë të KQZ-së me pretekste e sofizma ligjore është vetëm maja e ajsbergut e asaj që mendohet e synohet për të manipuluar zgjedhjet nga zyra kryeministrore. Opozita duhet të kundërshtojë ekspertë ndërkombëtarë, ose të dërguar të posaçëm të institucioneve si OSBE-ja që janë kompromentuar hapur në favor të PD-së në zgjedhjet e kaluara.”- u shpreh Milo.
Më tej ai e vuri theksin edhe në politikat arsimore të munguara dhe ato të punësimit të të rinjve, të cilët sipas tij përballen me papunësi ekstreme në Shqipëri.





