Buxheti i vitit 2025 me vlerë 8.2 miliardë euro u miratua mbëmjen e sotme nga Kuvendi me 75 vota pro dhe 2 kundër. Opozita bëri 55 propozime për ndryshime në buxhet, por ato u rrëzuan të gjitha. Deputetja e Partisë Socialiste Milva Ekonomi u shpreh se asnjë amendament i opozitës nuk u miratua nga PS sepse rritja që ata kërkonin ishte shumë e lartë. Deputetja tha se synimi është të shtohen vendet e punës, të jepen më shumë mundësi për punë, duke prishur kështu zinxhirin e varfërisë.

Ekonimi ka shtuar se: “Në një prezantim që beri ministrja Koçiu lidhur me qëndrimin që mbajmë ne si grup parlamentar dhe qeveri për minimumin jetik, lidhet me faktin që kërkohet një metedologji më pak e studiuar. Sepse ka të bëjë dhe me mënyrën se si minimum jetik diskutohet në Bashkimin Evropian dhe se si përdoret minimum jetik dhe me faktin tjetër që në Shqipëri kemi një politikë sociale që shënjestron grupet që janë në nevojë, dhe për ndihmën ekonomike dhe papunësinë, por dhe për të tjerë njerëz që janë në nevojë.

Së treti ishte që politika jonë ka të bëjë me heqjen nga zinxhiri i varfërisë, cikli i varfërisë, sepse në momentin që ti do rrisësh punën do krijosh mundësinë që njerëzit të jenë anëtarë aktiv të forcave së punës dhe normalisht e prish zinxhirin e varfërisë. Synimi është të shtohen vendet e punës, të jepen më shumë mundësi për punë. Ky ishte argumenti që u përdor sot në diskutimet parlamentar“.

Në lidhje me treguesit kryesorë të këtij buxheti, Ekonomi tha: “Buxheti kalon një sërë diskutimesh, që nga prezantimi që bënë në Parlament ministri i Financave e pastaj në çdo Komision Parlamentar diskutohet buxheti që vjen si parashikim i ministrit të financave së  bashku me gjithë parashikimet e ministrave për sektorët që ata mbulojnë.

Kur buxheti miratohet në parim fillojnë diskutimet nen për nen, ku secili grup parlamentar, secili Komision Parlamentar mund të paraqesë në Komisionin e Ekonomisë amendime të ndryshme. Në Komisionin e Ekonomisë u bënë plot ndryshime në buxhetin fillestar, sipas kërkesave nga grupet e interesit dhe nga institucionet e pavarura. Sot dëgjuam 55 amendime që kërkonin një shtesë prej 5 miliardë euros, ndërkohë që ne buxhetin e kemi 8.3 mld eurosh shpenzimesh. Rritja që ato kërkonin ishte shumë e lartë.

Për çdo amendim që ato u bënë u vendos argument pse nuk vlente. Buxheti vazhdon të ketë po ato linja, për shpenzimet, të ardhurat dhe borxhin  e ruan strukturën makroekonomike dhe bën kujdes që shpërndarja sipas sektorëve të bëhet duke planifikuar edhe nevojat që ka sektori po dhe grupi i interesit“.

Buxheti i vitit të ardhshëm kryefjalë ka investimet publike, të cilat për herë të parë arrijnë vlerën e 1.6 miliardë euro ose sa 6.2% e prodhimit të brendshëm bruto, niveli më i lartë në 3 dekada.