Deputetja socialiste e Shkodrës, Mimoza Hafizi, shprehu hapur publikisht mbështetjen e saj për kërkesën e Ben Blushit, që të ketë zgjedhje në Partinë Socialiste. I menjëhershëm ishte dhe reagimi i Ben Blushit, i cili pasi e falënderoi kolegen, tha se ka edhe deputetë të tjerë që duhet të flasin dhe se shpreson që Rama të mos i penalizojë ata.
“Ka edhe deputetë të tjerë që duhet të flasin, të mos kenë frikë. Unë dua që PS-ja të kthehet në parimet e së majtës. Shpresoj që deputetët që më mbështesin, të mos penalizohen”, tha Blushi.
Postimi i Mimoza Hafizit në Facebook
“Miq të nderuar!
I bashkohem kolegut tim Ben BLUSHI në kërkesën për respektimin dhe zbatimin e statutit të Partisë Socialiste e normave themelore të qenies bashkë në këtë grupim të madh politik. I kam ofruar mbështetje në rrugëtimin dhe platformën për Kongresin e ardhshëm të Partisë.
Do mundohem të përcjell në këtë dokument dhe në aspiratat tona për të ardhmen e partisë ku bëjmë pjesë, të gjithë përvojën e punës sime shumëvjeçare me strukturat socialiste të Tiranës e Shkodrës, zërin kritik të socialistëve shkodranë, analizat e përgjegjshmërisë qeverisëse deri në nivel bazë dhe reflektimet për një frymë të re bashkëpunimi e respekti.
Mirëpres çdo sugjerim, besoj që kauza e një partie të madhe nuk i përket vetëm anëtarëve të saj, por çdo qytetari.”