Pak ditë më parë, aktorja Mimoza Marjanaku u vlerësua me çmimin “Aktorja më e mirë jo protagoniste” në edicionin e 14-të të festivalit mbarëkombëtar “Apollon” në qytetin e Fierit.

Me rolin e saj në komedinë “Çertifikata e Martesës”, aktorja Marjanaku rrëmbeu duartrokitjet e publikut, por edhe vlerësimin e jurisë. Për të, ky çmim ka një domethënie të veçantë, sepse e mori në qytetin e lindjes.

“Ishte një ngjarje shumë e bukur në jetën time, sepse atë çmim e mora në skenën e qytetit ku kam lindur e jam rritur dhe ndjeshmëria ka qenë shumë e madhe. Isha shumë e emocionuar”.,- thotë ajo për “DurrësLajm”.

Javët e fundit kanë qenë mjaft impenjative për Mimozën në aspektin profesional, pasi ajo kishte një nga rolet kryesore në komedinë e Molierit “Borgjezi fisnik”, që mbajti të mbërthyer publikun durrsak për disa fundjava me radhë. Pas suksesit të padiskutuar, edhe kënaqësia profesionale është më e madhe.

“Kemi qenë në skenë 17 veta. Përveç trupës sonë kanë qenë edhe instrumentistë, soprano etj. Ka qenë vërtet një sipërmarrje shumë e madhe dhe e guximshme nga regjisorja Dervishi. Duke qenë sipërmarrje e madhe ka qenë shumë impenjative. Kemi punuar me orë të zgjatura dhe shpesh na zinte ora 01.00 apo 02.00 në skenë. Pati shumë sukses si shfaqje dhe në jo pak raste ka pasur atrdashës që kanë ardhur nga 2-3 herë për ta parë”.

Prej vitesh, Mimoza Marjanaku ka sjellë personazhe të ndryshme, të interpretuara me profesionalizëm në skenën e Durrësit. Por cilat janë projektet e ardhshme të saj?

“Kam disa plane që nuk mund t’i bëj tani të ditura, sepse janë akoma projekte në formën e ideve”.- thotë ajo.

Në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, komedia “Çertifikata e martesës” me regji të Driada Dervishit do të vijë në fund të muajit maj.

M.B.