13 nëntor 2015 – Policia e Krujës ka dhënë detaje në lidhje me kërcënimin që i është bërë punonjësit të policisë 47-vjeçarit Lufti Dami, mëngjesin  e sotëm. Hetimet po kryhen paralelisht nga Drejtoria e Krimeve të Rënda në policinë e Durrësit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Policia ka marrë në pyetje 47-vjeçarin, prind i tre fëmijëve, punonjës i policisë së patrullës së përgjithshme, prej rreth 15 vjetësh.

Dëshmia

“Jam ngritur herët në mëngjes dhe kam parë minën para oborrit të shtëpisë. Jam alarmuar për momentin dhe lajmërova policinë e shtetit. Unë si person nuk kam konflikte me ndonjë person. As familja nuk ka konflikte, në dijeninë time. Nuk e di kush mund ta ketë bërë, dhe cila është arsyeja. Nëse ka lidhje me punën, puna jonë kjo është, punonjës policie, aty ku ka arrestime, ku ka konflikte, ku kërkohet ndërhyrja e policisë, atje jemi.”

Hetimet

Hetimet kanë nisur në disa pista. Hetuesit janë të mendimit se vendosja e një mine antitank në oborrin e shtëpisë së një polici, është një kërcënim i hapur për të. Kështu që po punohet në disa drejtime. Hetime po kryhen në pistën e kërcënimit për shkak të detyrës, por gjithashtu edhe nëse 47-vjeçari mund të ketë krijuar ndonjë konflikt me persona të arrestuar prej tij, apo për motive të dobëta. Në hetim janë edhe familjarët e tij.

“Ndoshta ndonjë prej familjarëve të tij, apo vetë punonjësi i policisë mund të jetë përfshirë në ndonjë lidhje intime, që iu dërgua një minë antitank në oborr. Nëse nuk ka lidhje me punën, ka lidhje me motivet e dobëta”, pohuan burimet policore nga grupi hetimor.

Policia

Burimet policore bënë të ditur, se një minë antitank është gjetur në banesën e efektivit Lutfi Damit.

Aktualisht nuk dihen ende autorët dhe shkaqet e vendosjes së minës në banesën e policit. Ekspertë të policisë ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

/K.H. portali DurresLajm/