Gazetarja Klodiana Lala ka ngritur alarmin për situatën e rëndë mjedisore në landfillin e Sharrës, duke e cilësuar atë si një “minë me sahat” për kryeqytetin. Në një intervistë për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ajo theksoi se ndotja dhe keqmenaxhimi i mbetjeve nuk është më thjesht një problem teknik, por një krizë e thellë që kërcënon drejtpërdrejt shëndetin e banorëve të Tiranës.
“Shqipëria është në emergjencë mjedisore. Kam dokumente që tregojnë se bashkitë janë urdhëruar për ndarjen e mbetjeve në burim, por nuk zbatohet asgjë,” u shpreh Lala. Sipas saj, agjencia që ka marrë në dorë menaxhimin e landfillit nuk ka arritur të lidhë kontratat përkatëse, duke përshkallëzuar krizën.
Ajo shtoi se qeveria po vepron si “sy qorr e vesh shurdh”, ndërsa ndotja po përhapet përtej landfillit. “Po hidhen inertet nëpër lumenj kuturu, po kryhet një krim ditën për diell dhe askush nuk reagon.”
Lala theksoi se situata në Sharrë është rezultat i një zinxhiri përgjegjësish të shpërndara dhe i vendimeve që, sipas saj, tentojnë të shmangin përgjegjësinë ligjore. “Nuk guxon askush të fusë duart në një çështje që mund të çojë në burg,” tha ajo, duke paralajmëruar se çmimi i kësaj neglizhence do të jetë i lartë jo vetëm financiarisht, por mbi të gjitha për mjedisin dhe shëndetin publik.