PERUGIA, 12 shkurt 2013 – Karabinierët e Peruxhias kanë arrestuar tre të rinj shqiptarë që kishin “ngritur një minimarket” pranë universitetit të qytetit. Por ndryshe nga minimarketet e zakonshme shqiptarët tregtonin kokainë.
Policia italiane bën të ditur se në pranga nën akuzën “trafikim I lëndëve narkotike” kanë përfunduar tre të rinj shqiptarë; K.E. 22 vjeç, S.E. 32 vjeç dhe K.B. 27 vjeç. Të rinjtë kishin krijuar në një banesë pranë universitetit një laborator të vërtetë ku ndanin në doza të veçanta kokainën dhe më pas e tregtonin atë.
Shqiptarët kishin zgjedhur këtë vend pikërisht për shkak të afërsisë me universitetin. Klientët e tyre më të zakonshëm ishin pikërisht studentët.
Antidroga italiane ndiqnte prej kohësh lëvizjet e shqiptarëve dhe ndërhyri pasi siguroi provat e mjaftueshme për veprimtarinë e tyre të paligjshme. Në “minimarket” policia sekuestroi 50 gram kokainë si dhe 300 euro, para që të rinjtë shqiptarë kishin përfituar nga tregtimi i saj.





