Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, ka propozuar minimumin jetik prej 200 Eurosh. Ai u shpreh në Kuvend se Shqipëria është i vetmi vend që nuk e ka propozuar diçka të tillë ndërsa hodhi akuza ndaj qeverisë se janë “të pashpirt”.

“Shqipëria i vetmi vend që nuk ka propozuar minimumin jetik. Ne e kemi të përcaktuar, minimumi jetik do të jetë 200 euro. Nuk do të ketë asnjë familje qoftë ndihmë ekonomike, qoftë pension, qoftë pension invaliditeti qoftë dhe bursë studenti që të jetë për shqiptarët nën 200 Euro”, tha Noka.

Këtë propozim të Nokës, ministrja Albana Koçiu e konsideron jo serioz. Ajo u shpreh se qëllimi i mazhorancës është forcimi i programeve të punës dhe integrimi i nevojtarëve për punë e jo për të krijuar një nivel parazitizmi që mbahet me lëmoshë nga shteti.

“Është propozim aspak serioz që i ka kaluar koha me vakt dhe nuk mund të vendoset absolutisht apriori i pastudiuar në një metodologji që biem dakord të gjithë”, tha Koçiu.

“E theksoj dhe njëherë që synimi ynë kryesor është që të forcojmë programet e punës dhe integrimit të gjithë nevojtarëve që kanë nevojë për punë dhe janë forcë aktive pune dhe jo të japin lëmoshë apriori të gjithëve duke mos nxitur dhe duke mos synuar integrimin e tyre në jetën dhe tregun e punës. Në fund të ditës çfarë po krijojmë? Po krijojmë një nivel parazitizmi që mbahet me lëmoshë nga shteti. Jo nuk është ky qëllimi. Qëllimi ynë është të integrojmë këdo që ka mundësi për të punuar, ta aftësojmë me aftësi të reja për tregun e punës dhe ta bëjmë të tillë që të ketë mundësi të përmirësojë dhe të thyejë ciklin e varfërisë nëse ndodhet në një cikël të tillë”, shtoi ajo.

Amendamenti i Flamur Nokës për minimumin jetik 200 euro u rrëzua nga mazhoranca me 72 vota kundër.