Nga Gjergj Thanasi
Durrës, 9 shtator 2014 – Z. Ministër me afrimin e fillimit të vitit shkollor, krahas blerjes së uniformave, librave e mjeteve shkollore, duhen përmbushur edhe disa detyrime burokratike. Për t’u regjistruar në shkolla e universitete publike duhen bërë kërkesa, dorëzuar vërtetime etj. Për secilin nga këto dokumenta shkollat e universitetet kanë vendosur tarifa, që përgjithësisht variojnë nga 100 deri në 500 lekë. Më duket praktikë normale, që të paguhen shuma të tilla të vogla për të mbuluar kostot e këtyre veprimeve burokratike.
Fatkeqësisht prej disa vitesh është ndaluar me VKM, që të tilla pagesa të bëhen pranë sekretarive të shkollave apo universiteteve. Sipas shpjegimeve të dhëna vite më parë nga dyshja Fullani – Bode (I pari në burg, i dyti ende deputet jashtë parlamentit), këto pagesa duhet të bëhen domosdoshmërisht me bankë për të pakësuar paranë kesh, që qarkullon jashtë bankave, në mënyrë që të luftohet pastrimi i parave duke kontribuar kështu në fushatën ndërkombëtare të luftës anti-terror. Ky shpjegim është nxjerrë nga materiali shoqërues i VKM-së famëkeqe dhe nuk është prodhim i fantazisë sonë në funksion të sarkazmës apo ironisë së shkrimit.
Bankat për pagesa 100 lekëshe marrin100 lekë komision, d.m.th. 100% të vlerës së pagesës, ndërsa për pagesa 500 lekëshe marrin 200 lekë komision bankar, d.m.th. 40% të vetë pagesës. Të tilla komisione bankare dhe të tillë rrjepje të bazuar në akte nënligjore të nxënësve dhe studentëve shqiptarë me siguri do ta kishte zili edhe çifuti Shajlok, personazhi i neveritshëm i komedisë së Shekspirit “Çifuti i Venedikut”.
Z. Ministër, ju duke qenë vetë ekonomist i nivelit të lartë e kuptoni shumë më mirë se shumica e shqiptarëve se çfarë absurditeti është të pretendosh se do të luftosh pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit ndërkombëtar duke bërë nëpërmjet bankës të tilla mikro-pagesa në shuma nga 100-500 lekë. Thjesht justifikime të tilla janë përdorur për t’u siguruar para qyl bankave të nivelit të dytë, të cilat nga njëra anë rrjepin shqiptarët, nga ana tjetër për neglizhenca kriminale të drejtuesve të tyre lejojnë të punësuarit në këto banka të vjedhin paratë e bankave.
Në gjykatat shqiptare janë në gjykim apo hetim me dhjetra e dhjetra raste të tillë bankierësh hajdutë. Ka banka të nivelit të dytë në Shqipëri, që kanë bërë transferta me miliona dollarë apo euro për të blerë raketa tip MANPAD apo mortaja kalibër 120 mm të markës SOLTAM gjoja për nevojat e Ushtrisë Shqiptare, por që të tilla armë kurrë nuk u futën në depot e ushtrisë shqiptare (në shkrime të tjera të mëparshme unë kam bërë publike emrat e bankave dhe numrat e llogarive bankare).
Me siguri, transferta të tilla që bien në kundërshtim me konventa ndërkombëtare në kuadrin e luftës antiterror të nënshkruara e ratifikuara nga Shqipëria, nuk përbëjnë rrezik, ndërsa pagesat 100-500 lekëshe na bëkan namin, na pastrokan paratë e pista madje, madje na financokan edhe terrorizmin!!!!!!!!!!! Jazëk i qoftë dyshes Bode-Fullani!
Z. Ministër, është momenti, që po me VKM e me urgjencë, të lejohet arkëtimi i shumave të tilla të vogla nga sekretaritë e shkollave e fakulteteve, në mënyrë që të mbrohen interesat e konsumatorëve shqiptarë. Z. Ministër le të shërbejë si shembull frymëzimi për ju edhe vetë ati juaj, që për gati dy dekada, ndonëse i moshuar, i është përkushtuar mbrojtjes së interesave të konsumatorëve shqiptarë. Unë e kuptoj fare mirë, që një masë e tillë do të dëmtojë interesat e bankave shushunja, por ju duhet të zgjidhni midis bankierëve hajdutë dhe të gatshëm të marrin e japin ryshfete dhe shqiptarëve, bashkëkombësve dhe votuesve tuaj.
Z. Ministër, në pikat kyçe të administratës shqiptare janë punësuar me qindra “plazhistë”, “ylberistë”, që në këmbim të favoreve nga ana e bankave, me shumë dëshirë dhe pa ngurruar aspak, do ia fusnin sa krahu shqiptarëve duke vazhduar me modelin Fullani – Bode. Fatmirësisht ju jeni shtetar i përgjegjshëm, sepse vetë përvoja juaj e punës pranë hajdutit grekofon Gazhda me aferën e kambizmit 1988-1989, apo ndihma e kufizur që dhatë (me kabëll elektrik për mirë ndriçimin e objektit “Lumi” (Çeliku) në pranverë 1998 ), ju ka mësuar, që nuk mund të tallësh menderen pafundësisht me popullin shqiptar.
Nuk mund të vazhdonte pafundësisht në fund vitet 80-të eksporti i floririt, dhe sidomos argjendit shqiptar, me avionët e kompanisë “Cross Air”, apo jo z. Ministër?!
Z. Cani, ndryshe nga kalamaqërit, që martohen një javë rrjesht, ju e dini se njëlloj si në 1990 mund të zgjohen kafshët, siç u shpreh Pranvera Hoxha. Kur kafshët zgjohen, pronarët e tyre d.m.th. pushtetarët ose ja mbathin ose shqyhen nga kafshët e zgjuara nga gjumi e të egërsuara nga uria.
Z. Ministër, vër dorë se shqiptarët dolën në demostrata masive edhe për sarinën e Assadit, jo më për paratë. Në 97-tën, shqiptarët e treguan veten se çfarë janë të aftë të bëjnë për paratë e veta. Sot, kur skandali Fullani rrezikon të çojë për lesh bubi edhe më së paku dy banka të nivelit të dytë, një gjest i juaji, qoftë dhe minor si i mësipërmi në favor të shqiptarëve dhe në disfavor të shushunjave bankare, me siguri do të vlerësohet nga shqiptarët.
ACT NOW z. Ministër!
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





