Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu mbajti një deklaratë të përbashkët me Ndihmës Sekretaren amerikane të Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë, Celeste Wallander pas përfundimit të ministerialit SHBA-Karta e Adriatikut në Tiranë.

Ministri tha se diskutuan për një sfidat dhe rreziqet e sigurisë në rajon ndërsa shtoi se mbështet edhe anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut.

“Gjatë vitit 2024 organizuam një sërë eventesh politiko-ushtarake.

Patëm mundësi të kishim një ndërveprim pozitiv në kuadër të ministerialit dhe sot përmbyllim edhe ministerialin e mbrojtjes së Kartës së Adriatikut.

Së dyti, patëm mundësinë të ndaleshim në diskutimet strategjike dhe të sigurisë, rrjedhimisht theksuam relevancën e Kartës së Adriatikut të çdo vendi anëtar dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në rajon.

Shqyrtuam një sërë rreziqesh dhe sfidash me karakter hibrid dhe një vëmendje mori sulmi në Zubin Potok.

Ndërkohë që gjej rastin të përsëris solidaritetin tonë me shtetin e Kosovës, dhe vendet dënuan sulmin dhe kërkuan sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë.

Së katërti, patëm konvergjencë për rienergjizimin e Kartës së Adriatikut, duke parë dinamikat rajonale, sfidat e sigurisë kolektive, çka na detyron të përpiqemi ta rijetësojmë Kartën e Adriatikut si një mekanizëm për të çuar përpara politikën e dyerve të hapura, për të pranuar anëtarë të rinj.

Anëtarësimi i Kosovës mbetet prioriteti ynë absolut.

Së pesti diskutuam mbi zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe investimet tona në industrinë ushtarake.”, u shpreh mes të tjerash ministri.