Javën e ardhshme në Selanik do të zhvillohet për herë të dytë takimi i ministrave të Brendshëm të Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë për forcimin e stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimin ndërkufitar.
CNN-i grek shkruan se takimi rajonal do të mbahet në datat 4 dhe 5 tetor, i cili është një iniciativë e ministrit të Jashtëm të Greqisë Nikos Kotzias. Në fokus të takimit do të jenë çështjet e sigurisë. Ministrat do të diskutojnë për marrjen e masave për çështje të tilla si terrorizmi, ekstremizmi, radikalizmi. Në qendër të diskutimeve do të jetë edhe numri i lartë i refugjatëve që largohen nga Ballkani drejt vendeve të tjera të Evropës.
Ministrat e Brendshëm të vendeve të Ballkanit do të bisedojnë gjithashtu edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar për të luftuar trafikimin e njerëzve. Në veçanti, Shqipëria dhe Greqia do të bisedojnë për bashkëpunim edhe në sektorin e zjarrfikësve dhe të energjisë. Gjatë verës që sapo lamë pas, vendi ynë u përball me zjarre të shumta, ku u kërkua ndihma e Greqisë përmes avionëve që kontribuuan në fikjen e flakëve në jug të vendit.
Ky është viti i dytë që në Greqi zhvillohet takim i përbashkët mes disa vendeve të Ballkanit për të forcuar bashkëpunimin në disa fusha.