Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut patën takimin e radhës në Tiranë ku diskutuan për mbrojtjen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Ky Ministerial u drejtua nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe ndihmës sekretarja amerikane e Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare.

Në fjalën e tij, Vengu u ndal edhe në sulmin e fundit në Kosovë, sulm të cilin e cilësoi si të rrezikshëm për stabilitetin e rajonit.

“Shqyrtuam një sërë rreziqesh dhe sfidash me karakter hybrid dhe një vëmendje të shtuar mori sulmi kriminal i pak ditëve më pare në Zubin Potok, ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës. Ndërkohë që gjej rastin të përsëris solidaritetin tonë me shtetin e Kosovës, të gjitha vendet dënuan këtë sulm të rrezikshëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe kërkuan sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë”, – tha Pirro Vengu.

Për ministrin e Mbrojtjes për shkak të situatës gjeopolitike në këtë ministerial duhet të përfshihet edhe Kosova.

“Për ne anëtarësimi i Kosovës mbetet prioritet absolut, por dhe për të qenë më pro-aktiv në angazhime të përbashkëta në NATO, specifikisht në Forcat e Përparura të Aleancës në Europën Juglindore; Misionin për trajnimin, asistencën dhe mbështetjen për forcat ukrainase; Misionin e NATO-s në Irak; por dhe kontribues në agjendën e sigurisë dhe mbrojtjes së përbashkët të Bashkimit Europian, sipsh. në misionin ALTHEA në Bosnje dhe Hercegovinë”, shtoi ministri.

Ndërsa zyrtarja e lartë e SHBA-ve theksoi rëndësinë e anëtarësimeve të reja në NATO.

“SHBA-të vijojnë të mbështesin ato vende të cilat aspirojnë të bëhen shtete anëtare të NATO-s. Pra angazhimi ynë për politikat e dyerve të hapura të NATO-s mbetet e palëkundur. Gjithashtu ne shikojmë që Koreja e Veriut, Kina, Irani dhe Rusia na sjellin në fakt një serë regjimesh autoritare që kërkojnë që të minojnë normat ndërkombëtare dhe të destabilizojnë sigurinë e të gjithë botës. Sot u ndjeva mirë kur dëgjova diskutimet që ne bëmë për të zgjeruar bashkëpunimin tonë për mbrojtjen”, – deklaroi Celeste Wallander.

Ministri Vengu, i shprehu ndihmës sekretares së Mbrojtjes mirënjohjen e qeverisë shqiptare për angazhimin e SHBA-ve në zhvillimet politike, të sigurisë dhe atyre të mbrojtjes në vendin tonë, por gjithashtu në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.