Ministrat e Qeverisë së Maqedonisë prej dje kanë filluar të aplikojnë përdorimin e gjuhës shqipe në mbledhjet e Qeverisë. Lajmin e ka bërë të ditur ministri Edmond Ademi, përmes profilit të tij në Facebook, i cili ka folur i pari në gjuhën e tij amtare, njofton INA.

“Sot pata nderin si Ministër i parë shqiptar nga radhët e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, që në mbledhjen e sotshme të 117 të Qeverisë, të flas në gjuhën shqipe. Ligji për gjuhët, si ligj duhet të rrisë kohezionin mes qytetarëve të etnive të ndryshme, në ndërtimin e një shoqërie për të gjithë, si koncept politik i kësaj qeveriе udhëhequr nga LSDM. Para së gjithash ky ligj është në interes të qytetarëve, gjithë bashkësive etnike dhe komunikimit të tyre me institucionet, dhe ne si politikan përmes shembullit personal të tregojmë përforcimin e këtij kohezioni, duke ju shmangur politikave ditore”, shkruan Edmon Ademi Ministër i Diasporës.