TIRANE, 15 janar 2014 – Ashtu si pati paralajmëruar në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar të partise, kryeministri Rama ka urdheruar ministrat e tij te kryejne takime cdo pasdite me popullin. Takimi i pare ka nisur dje ne ora18:00 e pasdites, ku në hollin e selisë rozë ishin mbledhur njerëz që prisnin të takonin ministren e Arsimit, Lindita Nikolla.
Në xhamin e dezhurnit ishin shpallur edhe oraret e pritjes së popullit, në zbatim të porosisë që kryeministri Edi Rama dha, në fund të vitit që shkoi.
“Ju njoftojmë se takimet me anëtarët e kabinetit qeveritar do të zhvillohen në selinë e PS-së, në katin e katërt, çdo ditë, sipas këtij orari: e hënë-të premte, ora 16:00-18:00, të shtunë ora 11:00-13:00. Ju lutem plotësoni formularin për takim, që gjendet pranë recepsionit”.
Ky ishte njoftimi i shpallur pikërisht në hollin e PS-së. Në fakt, nuk ka një kalendar takimesh, me emra ministrash, pasi kjo do të varet edhe nga angazhimet e tyre në detyrën shtetërore. Por çdo pasdite, madje edhe të shtunën, dy apo tri orë, një prej ministrave do të jetë në selinë e PS-së. Shoqëruar edhe nga një apo dy punonjës të aparatit të partisë, ministrat do të majën shënim të gjitha kërkesat e qytetarëve, për t’u dhënë zgjidhje.
Për të shmangur radhët e njerëzve nëpër ministri dhe për t’i lënë të qetë ministrat të bëjnë detyrën gjatë orarit zyrtar, u caktua një orar pasditeve në selinë e partisë, që njerëzit të qajnë hallet dhe të marrin një zgjidhje për kërkesat e tyre.
Shpresojmë që të gjejnë zgjidhje për hallet dhe problemet e tyre.





