Ministret Mimi Kodheli dhe Mirela Kumbaro nuk kanë nguruar të provojnë veshjet speciale gjatë ceremonisë së organizuar në Gjirokastër në përfundim të procesit të demontimit të municioneve në dy zona të konsideruara të nxehta, në Picar dhe Kordhocë.

“Falënderoj PNUD dhe qeveritë amerikane e gjermane për mbështetjen financiare, pasi sot që flasim, në të gjithë vendin kanë mbetur vetëm 4 zona të rrezikshme me municione luftarake nga 19 të tilla që u evidentuan në fillim të këtij procesi”, deklaroi Kodheli.

Në Gjirokastër, programi që po zbatohet prej një viti ka mundur të pastrojë nga municionet një sipërfaqe prej 52 mijë metra katrorë, duke identifikuar dhe asgjësuar një sasi prej rreth 20 mijë municionesh aktive.

Zona të tjera të rrezikshme në rang vendi ka në Sukth të Durrësit, në Suç dhe Qafë Shtamë të Burrelit.