Forcim të Kodit Penal për personat që trafikojnë lëndë narkotike pranë shkollave, por edhe për ata që kapen me armë pa leje.
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, që starton më 11 shtator, ministri i Brendshëm Tauland Balla ka paralajmëruar nga Durrësi dyfishimin e dënimeve në Kodin Penal për të garantuar mbarëvajtjen e procesit mësimor brenda perimetrit të sigurisë në shkolla.
“Ne synojmë të dyfishojmë dënimet penale në ngarkim të gjithkujt që përfshihet në shpërndarje, dhe shitje lëndësh narkotike pranë shkollave. Këtë praktikë të re do ta ndjekim edhe në vepra të tjera penale. Një person që do të kapet me armë pa leje, qoftë kjo armë zjarri apo armë e ftohtë brenda perimetrit të sigurisë, ne do të propozojmë edhe për këtë rast dyfishim të dënimit”,– tha ministri Balla.
Një rëndësi të veçantë strukturat e Policisë së Shtetit dhe inspektorët e AKU-së do t’i kushtojnë njësive tregtare që ushtrojnë aktivitetin pranë godinave arsimore për të frenuar fenomenin e konsumimit të pijeve alkoolike nga moshat e reja. Sipas ministrit Balla, nëse do të konstatohen raste të tilla, masat do të jenë drastike.
“Duhet ta kuptojnë të gjitha njësitë e shërbimit, që ndodhen pranë shkollave, që nëse larg qoftë për ta përfshihen në veprimtari kriminale në dëm të shëndetit të fëmijëve, në dëm të interesit publik, duhet ta kuptojnë që njësitë e tyre do të mbyllen përfundimisht dhe nuk do të hapen më asnjëherë”,- deklaroi ministri i brendshëm.
Problematika e rindërtimit dhe riparimit të objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, do të jetë prezente edhe këtë vit të ri shkollor në Durrës.
Ende ka shkolla në proces ndërtimi, ndërkohë që gati për këtë vit të ri do të jenë këto objekte.
“Risia këtë vit është që më datë 11 shtator fillon mësimi në shkollën “Olsi Lasko”, që është një objekt i ri i ndërtuar pas tërmetit të 26 nëntorit, si dhe hapim çerdhen nr.2 pranë markatës së qytetit. Kemi përfunduar në total 20 objekte arsimore dhe do të vazhdojmë punën për objekte të tjera të mbetura. Janë rreth 17 objekte të tjera arsimore jo vetëm shkolla, por edhe kopshte dhe çerdhe që janë ende në proces. Duam t’i përfundojmë brenda vitit 2024. Gjithahstu brenda këtij viti garantojmë mësuesit dhe stafin akademik dhe nxënësit dhe prindërit që shkolla “Eftali Koçi” do të fillojë mësimin brenda këtij viti në godinën e re, si dhe kopshti në Bizë dhe “Isuf Ferra” në Shkozet”,– tha kryebashkiakja Emiriana Sako.
Gjatë vizitës së tij në shkollën artistike “Jan Kukuzeli”, ministri i brendshëm Taulant Balla shoqërohej nga kryetarja e Bashkisë Durrës Emirjana Sako, Prefekti i Qarkut Durrës Emiljan Jani, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Skënder Hita dhe nga Drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit Durrës, Amarilda Thërrmija.
M.B.





