TIRANË, 27 janar 2014 –Ministria e Shëndetësisë do të nisë këtë vit, në bashkëpunim me fondin e sigurimeve shëndetësore, projektin për recetën elektronike. Ndërkohë, ky proces do të pilotohet fillimisht në rajonin e Durrësit, për t’u shtrirë më tej në të gjithë vendin. Ja çfarë deklaroi ministri i Shëndetësisë dhe deputet i qarkut të Durrësit Ilir Beqaj në një intervistë në TV “Vizion Plus”:
“Ne kemi edhe një projekt shumë interesant që duam ta fillojmë këtë vit, bashkë me fondin e sigurimit të detyrueshëm të shërbimit shëndetësor, që është ai i recetës elektronike. Me këtë recetë synohet ulja e barrës burokratike që kanë sot qoftë mjekët e farmacistët në trajtimin e recetave, sidomos të atyre me rimbursim. Për pilotimin e këtij projekti është zgjedhur Durrësi, pasi është një rajon jo i vogël e merren parasysh disa faktorë. Tirana është shumë e madhe, është gati 40 për qind e tregut dhe procesi i pilotimit mund të zgjaste. Në fazën e parë, duke qenë se ka shumë nevojë për përkujdesje, Durrësi është dhe më pranë, pra është arsye logjistike. Janë disa faktorë që janë marrë parasysh për të zgjedhur Durrësin, si një vend ku do të fillojë të zbatohet brenda këtij viti, projekti i recetës elektronike për ta shtrirë atë pastaj në gjithë Shqipërinë, që do disa vite”.
Info /Intervista e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj:
– Së pari, pse kishte ndryshuar kaq shpesh ligji për barnat, shërbimin farmaceutik dhe pajisjet mjekësore, që në vitin 2004 i miratuar, kishte nevojë për një ligj të ri?
Ministri Beqaj: Ne e kishim përcaktuar që në program se ishte i nevojshëm rregullimi i tregut farmaceutik, i trajtimit të barnave, përfshirja në një proces më të rregulluar dhe i tregtimit, me qëllim përdorimin efikas edhe të materialeve mjekësore. Kur e filluam punën, e filluam me idenë për të bërë ndryshimet e ligjit, pastaj pamë që në 10 vjet që nga 2004, ligjet kishin ndryshuar disa herë. Ne kishim nevojë që të vinim dorë në shumë nene, të shtohej gjithë pjesa e materialeve mjekësore. Gjykuam që ndoshta do të ishte më e udhës të hartonim një ligj të ri. Kemi tashmë projektligj të ri që është punë disa-mujore në Ministrinë e Shëndetësisë. Do të bëjmë prezantimin e draftit me ata që janë më të interesuar drejtpërdrejt në këtë treg, me përfaqësues të shtëpive farmaceutike që kanë zyrat e tyre në Shqipëri, me shoqatat e atyre që merren me tregtinë e barnave, me Urdhrin e Farmacistit që është pjesa kapilare e farmacive, ku praktikisht, ka një version edhe mjekësor, por sigurisht, edhe tregtimit të barnave nëse janë me ose pa pagesë, prapë ka një proces qarkullimi. Besoj se u pa e nevojshme të bëhej një ndryshim edhe për të unifikuar çfarë kishte ndodhur në vite por edhe vetvetiu, edhe në botë, tregu farmaceutik është një treg dinamik, zhvillohet, që edhe legjislacioni të jetë në përputhje me zhvillimet, por edhe për të rregulluar një pjesë të legjislacionit me direktivat evropiane që rregullojnë këtë proces, edhe pse nuk janë kushtet e domosdoshme sot që flasim në rrugën e Shqipërisë dhe Evropës, por në një moment të caktuar do të vijnë. Ndërkohë, që në treg ka gjithashtu aktor seriozë, që jo vetëm vijnë nga vende shumë të zhvilluara por edhe operojnë në vendet e rajonit, dhe për të ndjekur, edhe zhvillimet që kanë ndodhur edhe në vendet e rajonit.
– Kishte dështuar ai ligj të bënte rregullatorin mes prodhimit, tregtimit dhe kontrollit të barnave?
Beqaj:Dështuar, do të ishte ndoshta deklarim shumë i fortë, por që kishte dalë jashtë kohës, kjo është më se evidente. Nuk ishte në gjendje t’u përputhej zhvillimeve, por edhe nevojave që ne kishim, për të pasur në Shqipëri barna më cilësore, më efektive por, dhe duhet ta pranojmë, për të pasur çmime jo më të larta se nga aty ku ata prodhohen, sidomos pjesën bazë të çmimit të barnave. Në Evropë, përgjithësisht çmimi i barnave është një proces i rregulluar. Pra, ka një çmim bazë mbi të cilin prodhuesi apo importuesi bie dakord me shtetin shqiptar dhe mbi këtë përdoren marzhe të ndryshme të tregtimit apo taksa të ndryshme. Sigurisht, në pjesën e sipërme është politikë individuale e çdo vendi. Ne, për shembull, në Shqipëri, deri para 3 vitesh, barnat i kemi trajtuar pa TVSH, u vendos një TVSH prej 10 për qind, megjithatë është hequr dhe do të jetë efektive nga data 1 prill.
– Megjithatë, ju parashikoni në këtë projektligj një risi, siç është ngritja e një agjencie. Çfarë parashikon kjo agjenci? Çfarë do të rregullojë kjo?
Beqaj: Agjencia, si emër, ka qenë dhe në ligjin e mëparshëm, por që nuk arriti të ngrihej kurrë. Kështu që kësaj here jo vetëm që konfirmojmë ngritjen e agjencisë, por përcaktojmë edhe në mënyrë më të plotë misionin e saj, me çfarë do të merret ajo. Sigurisht, që ne kemi përfshirë në ligj e për rrjedhojë edhe në agjenci, edhe materialet mjekësore. Sot në Shqipëri, tregtimi i materialeve mjekësore, është një proçes i lirë tregtar, por flasim për gjëra që lidhen direkt me shëndetin. Do të thotë, sot edhe një bar i thjeshtë, ka një proces regjistrimi, kalon në disa hallka. Ndërsa materialet mjekësore, flasim për materialet dentare, që mbahen në trup për një kohë shumë të gjatë, sot nuk ka rregulla se si ato tregtohen.
– Po marr një shembull që ta kuptojnë qytetarët, Zirkoni, apo ku di unë, kjo futet te materialet mjekësore?
Beqaj: Po flasim për një shembull edhe për një implant, apo për një protezë që duhet ta mbash për disa vite nëse ke pësuar një aksident apo përgjithmonë nëse do të duhet ta zëvendësosh, e të gjitha këto janë të pakontrolluara në Shqipëri. Në vitet e fundit ka pasur një liberalizim të tregut farmaceutik me pakicë, ne nuk duam të kthehemi mbrapa, pra është një standard tashmë i vendosur në Shqipëri, por ky normalizim është shoqëruar edhe ai me problemet e veta, atëherë duam që edhe këtu ky ligj të rregullojë pa cenuar ekonominë e lirë të tregut, por duke u përpjekur që puna që bëhet në farmaci, të jetë sa më efektive, sepse praktikisht ka një marrëdhënie shitje-blerjeje.
– Çfarë do të ndodhë me qytetarët pas miratimit të ligjit, do të ketë barna më të lira, më cilësore?
Beqaj: Pas miratimit të ligjit, por edhe pas periudhës së gjithë vitit, sepse janë 15 akte nënligjore që praktikisht e bëjnë efektiv zbatimin e ligjit. Ne synojmë që të kemi barna më të efektshëm, që të kemi siguri më të madhe për barnat që qarkullojnë në Shqipëri, por që sigurisht të kemi barna me çmime më të lira, që do të thotë në radhë të parë, barna që i kushtojnë më pak shëndetësisë publike për atë pjesë që rimbursohen, për atë pjesë që përdoren në spitalet publike. Kjo nuk do të thotë që ne do të kemi synim të shkurtojmë shpenzimet e shëndetësisë, por me gjithë ato para jemi të vetëdijshëm që do të kemi më shumë barna mjekësore për ata që rimbursohen.
– Kjo çështja rimbursimit, mos lind një lloj problemi, që, natyrisht, nuk mund të marrim atë më të shtrenjtën dhe t’ia japim qytetarit…
Beqaj: Skema te rimbursimi është klasike dhe nuk besoj të ndryshojë. Për atë rastin, kur ka më shumë se një alternativë, skema rimburson 100 për qind barin me alternativën më të lirë, që përderisa është regjistruar në Republikën e Shqipërisë do të thotë, që është i efektshëm, ndërsa për barnat e tjera që janë më të shtrenjtë, rimbursimi është aq sa është pjesa e barit më të lirë.
– Do të zhdukë ky ligj i ri, që ju do të prezantoni, atë fenomenin e mbushjes pafund të recetës me lloj-lloj ilaçesh, po në fund ato barnat nuk bëjnë asnjë efekt?
Beqaj: Sigurisht, që ne do të përpiqemi. Dhe ligji parashikon edhe rregullimin e recetës, barna me recetë dhe pa recetë. Por pjesa që mjekët mund të shkruajnë barna më shumë seç duhet, nuk rregullohet dot me ligj. Do të duhet të jemi rigoroz, në zbatimin e protokolleve të mjekimit. Sigurisht do t’u kërkojmë edhe farmacive të jenë shumë të përgjegjshme në refuzimin e atyre recetave që nuk janë brenda një komformiteti të caktuar. Një element tjetër që ligji përfshin dhe është me interes për publikun, është fakti se në ligj, krijohet hapësira të nevojshme, për të vënë një sistem më të plotë, të gjurmimit të barit, në procesin e qarkullimit të tij në Republikën e Shqipërisë. Barnat do të pajisjen me një pulle të tillë për të gjetur në atë moment atë bar, nëse është në përdorim spitalor, nëse po trajtohet në rrjetin e shërbimit farmaceutik.
– Çfarë ndryshon për farmacistët ky ligj?
Beqaj: Për farmacistët, ajo që ndryshon është: rregulla më të sakta për funksionimin e aktivitetit të tyre. Dhe padyshim, përpjekja që brenda një bashkësie të madhe farmacistësh që shërbejnë përditë, të mund të evidentohet kush nuk është konform rregullave dhe në mënyrë që të kemi brenda tyre një aktivitet më të ndershëm, por edhe siguri që qytetarët të shërbehen siç duhet.
– Kur një farmacist merr një recetë që nuk është e rregullt apo konform legjislacionit, ose e fryrë, çfarë duhet të bëj, ta denoncojë atë?
Beqaj: Farmacisti ka përpara një recetë, ajo që do t’i kërkohet fillimisht, edhe pse është nën presionin e qytetarit, do t’i kërkohet që këto receta të mos pranohen, ndërsa për recetat e fryra jua thashë, do të kemi një proces, do të bëjmë një kontroll, pasi ka ndodhur fakti për t’u kthyer përsëri te mjeku ose qendra shëndetësore për të rregulluar këtë proces.
– A do të marrin fund rastet, kur farmacistët të bëjnë edhe mjekun?
Beqaj: Profesioni i farmacistit e përfshin edhe një element të përzgjedhjes së një bari të caktuar, kur është gjetur diagnoza. Është një proces që vijon, nuk është një proces që zgjidhet vetëm me një ligj. Në të vërtetë po bëjmë një ligj të ri, por në Shqipëri kemi ligje, ajo që çalon është zbatimi i tyre.
– Ose kontrolli, ruajtja e zbatimit të tyre?
Beqaj: Padyshim, zbatimi, lidhet me institucionet e verifikimit e kontrollit. Unë mendoj se agjencia do të marrë një rol shumë më aktiv, shumë më primar në rregullimin e këtij tregu.
– Recetat kot, thjesht për qëllim shitje të barnave. Do të ketë një mundësi kontrolli?
Beqaj: Edhe sot kjo mundësi ekziston. Kontrolle bëhen herë pas here. Megjithatë duhet të pranojmë që me liberalizimin e tregut farmaceutik jemi në një situatë pak të vështirë sepse 4-5 vitet e fundit numri i farmacive është dyfishuar, ndërsa trupa jonë kontrolluese ka mbetur po ajo. Ne kemi edhe një projekt shumë interesant që duam t’a fillojmë këtë vit, bashkë me fondin e sigurimit të detyrueshëm të shërbimit shëndetësor, që është ai i recetës elektronike. Receta elektronike do të na bëjë të mundur ne, që edhe pa shkuar fare atje. Duam ta fillojmë këtë vit, është një proces që zgjat, ta pilotojmë në rajonin e Durrësit. Me këtë synojmë që në radhë të parë, të ulim shumë barrën burokratike që kanë sot, qoftë mjekët e farmacistët në trajtimin e recetave sidomos të atyre me rimbursim.
– Pse është zgjedhur Durrësi?
Beqaj: Është zgjedhur Durrësi, sepse është një rajon jo i vogël, e merren parasysh disa faktorë. Tirana është shumë e madhe, është gati 40 për qind e tregut dhe procesi i pilotimit mund të zgjaste. Në çdo proces pilotimi t’i korrigjon dhe idetë që ke pasur. Në fazën e parë duke qenë se ka shumë nevojë për përkujdesje, është dhe më pranë, pra është arsye logjistike, janë disa faktorë që janë marrë parasysh për të zgjedhur Durrësin, si një vend ku do të fillojë të zbatohet brenda këtij viti, projekti i recetës elektronike për ta shtrirë atë pastaj në gjithë Shqipërinë, që do disa vite.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





