DURRËS, 22 maj 2015 – Të premten, para dite, më 22 maj 2015, Ministri i Financave Shkëlqim Cani bëri një vizitë pune në depozitat bregdetare në zonën e Porto Romanos, në terminalin e karburanteve Romano Port. Në aksionin për kontrollin e karburanteve morën pjesë efektivë të doganës, inspektoratit qendror teknik, drejtorisë së metrologjisë dhe kalibrimit si dhe të kompanisë koncesionare që merret me markimin e karburanteve. Paralel me cilësinë e sasinë e karburantit grupet e punës po punojnë dhe për të shmangur dhe evazionin fiskal.
Kryefinancieri Shkëlqim Cani deklaroi ndër të tjera:
“Njësitë e ngarkuara po kontrollojnë rreptësisht edhe cilësinë e produkteve hidrokarbure, nga anija deri në këto depozita e pastaj deri në pikat e tregtimit me pakicë. Qëllimi është që në çdo hallkë të tregtimit të eliminojmë abuzimet me cilësinë dhe sasinë dhe të sigurojmë pagesën e të gjitha detyrimeve që parasheh ligji fiskal. Këtu në Porto Romano nuk funksionojnë vetëm grupet e përbashkëta të kontrollit, por në kufirin detar janë edhe grupet e antikontrabandës, që kryejnë kontroll dhe matje në çdo anije me karburant që hyn në port. Si rezultat i këtyre kontrolleve dhe miradministrimit doganor vërehet një rritje prej rreth 10 për qind më shumë e sasive të zhdoganuara të karburanteve, deri tani. Nëse vitin e kaluar ishte një numër i konsiderueshëm kompanish që refuzonin kontrollin e markimit nga kjo kompani, në muajin që kaloi numri i tyre ishte zero.
Për periudhën 23 qershor 2014-30 prill 2015, numri i njësive të kontrolluara është 2438, nga ku 2169 ose 89 për qind kanë rezultuar në rregull dhe 269 ose 11 për qind kanë rezultuar me shkelje. Gjatë tre mujorit të parë të vitit 2015, numri i rasteve me shkelje (me përzierje karburantesh) ka tendencë rënieje, ndërsa rastet e refuzimeve janë zeruar. Do t’ia dalim me sukses të standardizojmë tregun e hidrokarbureve. Mund të jetë filluar me shifra shumë më të larta dhe tashmë jemi në nivelin 5 për qind. Përsëri jemi të shqetësuar edhe për këtë nivel, dhe ne do ta vazhdojmë këtë mision deri sa përzierja me përbërës të huaj jo të pranueshëm, jo sipas standardeve evropiane të bjerë në zero. Diku taksat dalin, ne themi që shtresa e mesme dhe e pasur duhet të përballojë taksat. Dikush që ka një makinë me konsum karburanti 500 apo 5000 kubikë kuptohet konsumon më shumë naftë paguan më shumë taksa. Dikush që është i varfër, i jep biçikletës e nuk paguan taksa”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi m. b./