Ministri i brendshëm, Bledi Çuçi përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar të gjithë ata që garantuan mbarëvajtjen e finales së Conference League të luajtur mbrëmë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë mes Romës dhe Feyenoord.

Në postimin e tij, Çuçi ka shkruar se historia është shkruar në Tiranë duke shtuar se finalja e madhe ka shkuar më së mirë dhe Shqipëria ka treguar në sytë e botës që i ka kapacitetet për të mirëpritur dhe menaxhuar një event të tillë.

Bledi Çuçi: Historia u shkrua në Tiranë. Finalja e madhe shkoi më së miri dhe Shqipëria demonstroi në sytë e mbarë botës që i ka të gjitha kapacitetet për të mirëpritur e menaxhuar një event të përmasave të tilla. Një falënderim të veçantë kam për punonjësit e Policisë së Shtetit, që falë profesionalizmit dhe përkushtimit të tyre të jashtëzakonshëm garantuan mbarëvajtjen e gjithçkaje: nga mbërritja e mijëra tifozëve në pikat kufitare, shoqërimi i tyre drejt stadiumit, grumbullimet në zonat e dedikuara dhe deri te përcjellja për t’u rikthyer sërish në vendet e tyre. Çfarë ndodhi dje ishte një ushtrim kuptimplotë i angazhimit tuaj të përbashkët si asnjëherë më parë për të cilin keni mirënjohjen e pakufishme të të gjithëve.