Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, pohoi sot në emisionin “Opinion” se Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, do të caktohet në mbledhjen e Qeverisë që do të zhvillohet ditën e mërkurë.

Çuçi nuk ka pranuar të bëjë publik emrin e pasardhësit të Ardi Veliut në krye të Policisë së Shtetit, por ka pohuar se një nga kandidatët për këtë pozicion është Gledis Nano, drejtori i Anti-terrorit.

“Nuk mund të them se cili është Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, do vendoset nesër në mbledhjen e Qeverisë, por një nga kandidatët është z. Nano”, tha Çuçi.

Gledis Nano është konsideruar nga mediat si Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, duke iu referuar këtu faktit se ai është dekoruar nga ambasada amerikane pak ditë më parë.