TIRANË,19 shtator 2013 -Ministri i Mirqënies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj ka diskutuar sot me moderatoren Ola Bruko në studion e "News 24", në rubrikën ‘Opinion’ rreth cështjeve më imediate që presin zgjidhje nga dikasteri që ai drejton.
Zyrat e Punës
Ministri tregon se duhet më shumë përkushtim tek Zyrat e Punës dhe me këtë rast tregon një fragment nga familja e tij.
“Nëna ime humbi punën si pasojë se kompania ku ishte falimentoi. Dhe më e pakta që duhet është të të trajtojnë si e papunë. Dhe atje duhet të pritesh mirë”.
Romët
Një ditë më parë Veliaj ishte protagonist i lajmit që mori në duar një fëmijë rom të aksidentuar dhe e dërgoi në spital për mjekim. Sipas ministrit, në rastin me romët, duhet një rimëkëmbje e plotë e institucioneve dhe jo vetëm për këtë kategori, por dhe për njerëzit në nevojë. Sipas ministrit ekzistojnë 5 opsione për strehimin e romëve.
“Rimëkëmbje insitutcionesh, kur vjen puna tek romët, apo dhe për personat me aftësi të kufizuar.
Po punojmë dhe kemi 5 opsione për strehimin e romëve. Ka një opsion në Sharrë, në Vaqarr, në Yzberisht, pranë Shkollës së Bashkuar, në Tufinë. Me qëllim që të sigurojmë minimumin e mundshëm, një strehë. Mos harrojmë se po afron koha e shirave dhe ne duhet t’u ofrojmë të paktën strehimin, energjinë, ngrohjen”.
Ministri u shpreh i indinjuar për mungesën e shërbimit mjekësor që hasi fëmija rom kur u dërgua nga prindërit në spital.
“Ngrihet në këmbë një spital se vajti një ministër dhe jo kur shkon një fëmijë i sëmurë. Ndaj nën drejtimin e ministrit Ilir Beqja nuk do të ketë më mënyrë që njerëzit të trajtohen nga ngjyra etj”.
Paraplegjikët
Moderatorja e rubrikës, Ola Bruko përmendi emisionin e mëngjesit në "News 24", “Ora për tu zgjuar”, ku një paraplegjik bëri një ankesë tek gazetari Bashkim Hoxha, për mospagesën e pensionit të tij. Veliaj tha se ekziston një problem me listat e paraplegjikëve dhe se po mundohen së bashku me Ministrinë e Financave për ndreqjen e këtij problemi. “Si një ndjekës i rregullt i Bashkimit theksoj se emisioni i tij është një barometër i nevojave publike për momentin. Gjatë situatës parazgjedhore u rrit jashtë mase lista e atyre që janë për pagesa të personave me aftësi të kufizuara. Shumë komunarë kanë rritur artificialisht numrin për persona me aftësi të kufizuar dhe shifra që kemi sot duket sikur vijnë nga një bilanc lufte në Vietnam. Ministri i Financave është treguar i interesuar për të zgjidhur këtë çështje. Stafi i ministrisë ka nisur procedurat për të pastruar listat”.
I pyetur rreth shkollave profesionale, Veliaj garantoi se ‘qeveria do të shtojë shkollat profesionale, por me praktika të detyrueshme. “Do të shtojmë shkollat profesionale dhe praktikë të detyrueshme. Do e bëjmë atraktive mësimin”.
Po kështu, Veliaj theksoi se do punohet dhe në drejtim të jetimeve, ndërsa vuri në dukje në këtë prizëm se “kmunitetet fetare kanë bërë një punë të mirë në këtë drejtim”.
Pas intervistës, moderatorja me shaka e pyet se mos ka shkelur Kodin Etik të ministrave me këtë intervistë në "News 24", Veliaj u përgjigj: Jo, nuk kam shkelur Kod Etik, madje e zbatova. Isha transparent”.





