Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, jep lajmin e mirë për nënshkrimin e marrëveshjes për restaurimin e pasurisë kulturore “Muret e Portës (Porto Romano)” në Durrës
Në një postim në rrjete sociale, ministri shkruan:
“Nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit midis Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Shoqërisë Koncesionare “PORTI MBM” për restaurimin e Pasurisë Kulturore “Muret e Portës (Porto Romano)” në Durrës, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, i cili daton në shek. VI-të erës sonë.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Shoqëria Koncesionare “PORTI MBM” do të investojë në mbulimin e shpenzimeve për ndërhyrjet restauruese në përputhje me kriteret, duke mundësuar ruajtjen dhe rijetëzimin e këtij monumenti të vyer, i cili do të jetë i aksesueshëm edhe për publikun e do të mirëmbahet dhe menaxhohet nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Ky është një hap i rëndësishëm për të shpëtuar një nga dëshmitë më të hershme të historisë urbane të Durrësit, duke e kthyer atë në një vlerë të gjallë të trashëgimisë sonë kulturore!





