11 qershor 2015 – Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka deklaruar se ka ndërmend t’i propozojë palës shqiptare një paketë zgjidhje për gjithë problemet në marrëdhëniet dypalëshe. Sipas tij, zgjidhja do të jetë realiste, shpresëdhënëse dhe në dobi të të dy popujve. Kotzias e ka bërë këtë deklaratë gjatë ligjëratës që mbajti në qendrën e studimeve europiane në Kolegjin Saint Antony’s College të Universitetit të Oksfordit.
“Me Shqipërinë na lidh një e kaluar e përbashkët e pasur, ëndrra dhe perspektiva të përbashkëta. Ekzistojnë edhe shumë probleme nga e kaluara, por edhe për shkak të pikëpamjeve të një pjese të lidershipit të vendit fqinj, si moszbatimi i atyre për të cilat është rënë dakord, kundërshtimi i zbatimit të dispozitave të së drejtës ndërkombëtare, të drejtat e minoritetit grek. Ne kemi predispozicionin t’i zgjidhim problemet dhe të kapërcejmë çdo vështirësi. Planifikojmë të propozojmë ditët e ardhshme një paketë zgjidhje për të gjitha problemet, që do të jetë realiste, shpresëdhënëse dhe në dobi të të dy popujve”, ka deklaruar Kotzias.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





