Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani paralajmëroi rrezikun që mund të sjellë dezinformimi dhe ndërhyrjet e jashtme, jo vetëm për vendin tonë, por edhe më gjerë për gjithë rajonin.
Deklarata e numrit 1 të diplomacisë shqiptare u bë në Komisionin e Posaçëm për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes në proceset demokratike se edhe Shqipëria përballet me kërcënime të vazhdueshme hibride.
“Një nga sfidat më shqetësuese të shoqërisë sonë mbetet dezinformimi. Ky fenomen po përballet në çdo shtet, përfshirë edhe Shqipërinë dhe po dëmton shumë shtylla të shoqërive tona demokratike. Në një kohë kur informacioni i rremë dhe manipulativ shpërndahet me qëllim polarizimin e opinioneve dhe shoqërisë dhe minimin e besimit te institucionet, është e rëndësishme të kuptojmë se nuk është thjesht një mjet për të krijuar konfuzion, por një armë që po përdoret për të destabilizuar, për të ndikuar në proceset politike dhe për të minuar demokracitë duke përdorur mjete të sofistikuara për të mbështetur axhenda të dëmshme”, vuri në dukje ai.
“E kur sfidat dhe kërcënimet hibride janë në rritje, dialogu ndërkombëtar, por edhe ai kombëtar është më i rëndësishëm se kurrë. Rritja e qëndrueshmërisë së informacionit, shkëmbimi i eksperiencave më të mira janë masa të nevojshme për të përforcuar qëndrueshmërinë kombëtare për të ardhmen”, u shpreh ministri Hasani.