TIRANE- Zv. Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Edmond Haxhinasto, priti sot Kryeministrin e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës z. Nermin Niksic dhe Ministrin e Transportit dhe Telekomunikacionit z. Enver Bijedic. Ata shoqëroheshin nga drejtues të kompanisë boshnjake Energoinvest d.d Sarajevo. 

“Ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera politike mes dy vendeve që po reflektohen edhe në fushën ekonomike ” – tha z. Haxhinasto gjatë takimit. 
Ministri Haxhinasto dhe Kryeministri Niksic u shprehën për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve sidomos në fushën ekonomike, shkëmbimet tregtare, turizmit apo agrobiznesit. 

“Duhet të shkojmë përpara duke integruar ekonomitë e rajonit, duke hequr pengesat në shkëmbimet tregtare e duke shfrytëzuar potencialet ekonomike si në sektorin energjetik, minerar, turizëm, agrobiznes, etj” – tha ministri Haxhinasto. 

Nga ana e tij Kryeminstri boshnjak Niksic gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë tha se “nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet kompanisë Energoinvest d.d Sarajevo dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit shqiptar tregon se jemi në rrugë të drejtë dhe pas Energoinvest do të vijnë kompani të tjera boshnjake”. 

Sipas Niksic hapja së shpejti e ambasadës së Bosnje-Hercegovinës në Tiranë do të krijojë kushte për bashkëpunim më të mirë mes dy vendeve, pasi të dy vendet aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian. 

“Rritja e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve përshpejton integrimin në BE”, tha Haxhinasto. Gjithashtu të dy bashkëbiseduesit ranë dakord për organizimin e panaireve tregtare të përbashkëta, rritjen e shkëmbimeve mes dhomave të tregtisë, etj. 
Më pas takimi vijoi me nënshkrimin e kontratës mbi ndërtimin e largpërçuesve 110 kv South Albania/Lot 2, ndërmjet kompanisë Energoinvest d.d Sarajevo dhe drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit z. Arben Ibro.