Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka deklaruar se numëri i shqiptarë me të drejtë vote të cilëve iu ka kaluar afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit ose mund t’iu skadoj deri më 11 maj, është 520 mijë. Gjatë fjalës në Kuvend, Hoxha tha se tashmë është arritur një marrëveshje për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve, në mënyrë që shqiptarët jashtë vendit të votojnë.
“Nisur nga vlerësimet tona, numri i shtetasve shqiptarë me të drejtë vote të cilëve iu ka kaluar afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit dhe mund t’iu skadojë deri në 11 maj, është 520 mijë shtetas. Është rënë dakord shtyrja e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve. Sipas Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, çdo shtetas shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjeç pa dallim race, etnie, gjuhe, bindje politike, gjendje ekonomike ka të drejtë të zgjedhë dhe zgjidhet. T’u ofrojmë ndihmë dhe të mbrojmë të drejtat e qytetarëve tanë, në çështje me rëndësi për atdheun, siç është votimi në zgjedhjet e 11 majit. Qeveria propozon që vlefshmëria e dokumenteve të zgjatet deri në 31 maj 2025, për shtetasit me banim jashtë vendit. Ju ftoj të gjithëve të miratojmë këto akte me rëndësi për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve, për të përmbushur vendimin historik që diaspora për herë të parë në histori, të votojë jashtë vendit,” tha Hoxha.