Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Spanjë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me studentët e Universitetit Carlos III të Madridit.
Në një postim në rrjetet sociale pas këtij takimi, Hoxha shprehet se çdo bisedë mbi Europën duhet të përfshijë patjetër të rinjtë, pasi idetë e tyre e sfidojnë politikën të bëjë më shumë.
“Çdo bisedë kuptimplotë mbi Europën duhet domosdoshmërisht të përfshijë të rinjtë. Pata një shkëmbim vërtet përmbajtësor, energjik dhe frymëzues me studentët e Universitetit Carlos III të Madridit, kureshtja, mendimi kritik dhe angazhimi i të cilëve nxjerrin në pah rolin jetik që të rinjtë luajnë në formësimin e së ardhmes së Europës.
Dialogu me të rinjtë nuk është vetëm pasurues, ai është thelbësor. Pyetjet, idetë dhe pritshmëritë e tyre na sfidojnë të bëjmë më shumë, të udhëheqim me integritet dhe të sigurojmë që projekti europian të mbetet dinamik, gjithëpërfshirës dhe i orientuar drejt së ardhmes.”, shkruan ministri.





